Vrasja e zëvendësshefit të Hamasit rrezikon të zgjerojë luftën
Izraeli vrau Saleh al-Arourin, zëvendëslider i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – përmes një sulmi me dron në kryeqytetin libanez, Bejrut më 2 janar, thanë burimet libaneze dhe palestineze.
Vrasja e numrit dy të Hamasit rrit rrezikun se lufta në Gazë mund të përhapet përtej enklavës palestineze.
Arouri, 57 vjeç, ishte udhëheqësi i parë i lartë politik i Hamasit që është vrarë që kur Izraeli nisi sulmet ajrore dhe tokësore kundër grupit radikal palestinez tre muaj më parë, pasi Hamasi kreu një sulm të befasishëm në jug të Izraelit më 7 tetor.
Grupi i armatosur rëndë në Liban, Hezbollah – aleat i Hamasit – që nga nisja e luftës në Gazë ka këmbyer zjarr në baza ditore me trupat izraelite përgjatë kufirit jugor të Libanit.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, e ka paralajmëruar Izraelin kundër çdo vrasjeje në tokën libaneze, duke u zotuar për “reagim të rëndë”.
Hezbollahu tha të martën se ka shënjestruar me raketa një grup të ushtarëve izraelitë në afërsi të Marjit. Sulmi, sipas Hezbollahut, ndodhi pas vrasjes së Arourit.
Për një kohë të gjatë, Izraeli kishte akuzuar Arourin për sulme vdekjeprurëse ndaj qytetarëve të tij, por një zyrtar i Hamasit ka deklaruar se ai ishte po ashtu “në zemër të negociatave” të zhvilluara nga Katari dhe Egjipti lidhur me luftën në Gazë dhe për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi.
Izraeli as nuk e ka konfirmuar e as mohuar se ka vrarë udhëheqësin e grupit radikal palestinez, por zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë dhe të përgatitur për çfarëdo skenari.
“Gjëja e rëndësishme që duhet thënë sonte është se ne jemi të përqendruar dhe vazhdojmë të jemi të përqendruar në luftën kundër Hamasit”, tha ai kur u pyet nga gazetarët lidhur me vrasjen e Arourit.
Izraeli kishte akuzuar Arourin, bashkëthemeluesin e krahut ushtarak të Hamasit apo siç njihet ndryshe si Brigada e al-Kasamit, se për vite me radhë kishte dhënë urdhra dhe kishte mbikëqyrur sulmet e Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli.
“Po pres për martirizim [vdekjen] dhe mendoj se kam jetuar shumë gjatë”, kishte deklaruar Arouri në gushtin e vitit 2023, duke aluduar në kërcënimet izraelite për të eliminuar udhëheqësit e Hamasit, qoftë në Gazë apo jashtë.
Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, shtet që është mbështetës i fuqishëm i Hamasit dhe Hezbollahut, tha se vrasja e Arourit “padyshim do të rrisë rezistencën dhe motivin për të luftuar kundër pushtuesve zionistë [v.j. referencë për izraelitët] jo vetëm në Palestinë, por po ashtu në rajon dhe në mesin e të gjithëve në botë që kërkojnë liri”.
Qindra palestinezë kanë protestuar në Ramallah dhe në qytete të tjera në Bregun Perëndimor për të dënuar vrasjen e Arourit, duke brohoritur “hakmarrje, hakmarrje, Kasam!”.
Rebelët Huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, janë zotuar se do të vazhdojnë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq derisa Izraeli të ndalë konfliktin në Gazë.
Rebelët Huthi kanë paralajmëruar se do të sulmojnë luftanijet amerikane nëse ky grup do të shënjestrohet.
Rebelët Huthi kanë gjuajtur dy raketa balistike në jug të Detit të Kuq, edhe pse nuk është raportuar për dëme, njoftoi të martën vonë Komanda Qendrore e SHBA-së.
Autoriteti për tregti detare në Mbretërinë e Bashkuar ka raportuar për tri shpërthime afër një anijeje me mallra në Ngushticën e Bab al-Mandab, në lindje të Eritreas, por nuk ka raportuar për dëme.
SHBA-ja më herët ka njoftuar për një task-forcë ndërkombëtare detare për të mbrojtur anijet që kalojnë në Detin e Kuq.
LEXONI GJITHASHTU:
Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj
Kaos dhe dhunë në Bruksel, studentët përleshen me policinë për shkurtimet në buxhetin e arsimit (VIDEO)
BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:54 “Këtë verë do të jem në Prishtinë”, publikohet biseda e Dua Lipës me Katy Perry-n, ylli botëror pjesë e Sunny Hill
- 17:49 Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi në vitin 2025, gati gjysma fermerë
- 17:37 Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj
- 17:33 Kaos dhe dhunë në Bruksel, studentët përleshen me policinë për shkurtimet në buxhetin e arsimit (VIDEO)
- 17:27 BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:24 “Jo më udhëtime luksoze teksa ukrainasit po vdesin”, 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat ruse