Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s tha se çështja nëse duhet të lejohet Ukraina që të sulmojë thellë brenda Rusisë me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi është “një vendim politik”, por nga pikëpamja ushtarake, kjo do të ishte brenda të drejtës ligjore të Ukrainës.
Admirali Rob Bauer tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 shtator se heqja e kufizimit nuk është çështje që NATO-ja po e diskuton, por sipas mendimit të tij, si udhëheqës ushtarak, përgjigja do të ishte po.
“Në bazë të Kartës të OKB-së dhe në bazë të ligjit për konflikt të armatosur, nëse sulmoheni nga një shtet, ju keni të drejtë ta mbroni veten”, tha Bauer. “Kjo mbrojtje nuk ndalon në kufijtë tuaj. Juve ju lejohet që të sulmoni armikun në territorin e tij”.
Bauer foli për REL-in teksa Komiteti Ushtarak i NATO-s – autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës – u takua në Pragë për një konferencë dyditore për të diskutuar për zhvillimet strategjike brenda aleancës pas vendimeve që janë marrë gjatë samitit të NATO-s që u mbajt në korrik.
Takimi u mbajt një ditë pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Kievit për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj caqeve në Rusi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Biden takohet me Stramer, fokusi i bisedës Ukraina dhe “vija e kuqe” e Putinit
- SHBA: Ukraina mund të përdorë raketat perëndimore për të goditur brenda Rusisë