Kryeministri Edi Rama mbajti një deklaratë përpara popullit shqiptar sot ku foli lidhur me situatën e vështirë të krijuar në vend prej pandemisë së coronavirusit dhe prezantoi planin financiar me 7 pika që do të ndihmojë ekonominë të përballojë krizën shëndetësore.
1) 2.5 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore.
2) 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë, përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve.
3) 6.5 miliardë lekë, ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate:
o Për shtresat më në nevojë;
o Për biznesin e vogël;
o Për papunësinë e mundshme për shkak të luftës
4) 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë, që vihet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për Operacionin Humanitar.
5) 1 miliardë lek, ose 10 milionë dollarë, si fond rezervë për Këshillin e Ministrave, për cdo urgjencë të paparashikueshme.
Gjithashtu:
Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 mijë e 24 abonentë.
Do të riskedulojmë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim, tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë, ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro.
Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.
Nesër, datë 20.03.2020, ky plan do të hyjë në fuqi si Akti Normativ i ndryshimeve në Buxhetin 2020.
Kryeministri i vendit, Edi Rama prezantoi mbrëmjen e sotme planin financiar për kapërcimin e krizës për shkak të COVID-19, duke e nisur me një parantezë të gjatë, ku i përgatiti të gjithë shqiptarët që të mos prisnin një plan ekonomik që do t’i kënaqte të gjithë sot e do t’i lërë të gjithë me gisht në gojë nesër.
Kreu i qeverisë kujtoi se ndryshe nga rasti i tërmetit në këtë luftë sot jemi vetëm, me veten tonë në shtëpinë tonë që në këtë rast është kazerma.
“Ju dua shumë si njerëzit e shtëpisë sime, po mos më kërkoni që tu mbaj iluzioni dhe tu them se do dalim shpejt nga kjo situatë. Ndajeni mendjen kjo luftë nuk erdhi që të qëndroni në shtëpi dhe të hani e pini si në pushime, por kjo është një luftë. E di që nuk doni të dëgjoni këto që po ju them. E di që ju doni të dilni dhe jeni mërzitur nga të ndenjurit mbyllur brenda se dialli ua bën me sy. Territori i kësaj lufte nuk është toka, por trupi i njeriut. Armiku na përdor ne si bazë ushtarake dhe na sulmon ne e na marr të afërmit e më të dashurit tanë. Lufta nuk vinë për të rrënuar ekonominë. Kjo luftë është e parë në historinë e njerëzimit dhe i bën të gjithë bashkë”, tha z.Rama.
Kreu i qeverisë iu kërkoi shqiptarëve të ndërgjegjësohen se kjo luftë do të sjellë rënien në pikiatë të ekonomisë ndaj askush nuk dihet të presë që ky plan t’i kënaqë të gjithë.
Lexoni gjithashtu: