Albin Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se tensionet e fundit në veri janë shkaktuar nga deklarimet nxitëse në Beograd.
Gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, kryeministri i Kosovës shprehet se Serbia dëshiron përshkallëzimin e situatës në veri.
“Sulmet në Zubin Potok vijojnë pas deklaratave nxitëse në Beograd. Serbia qartazi po dëshiron ta militarizojë dhe ta eskalojë situatën, po sjell deri afër kufirit helikopterë dhe avionë të prodhimit rus. Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, konflikt ky, i cili rrezikon të marrë përmasa edhe rajonale”, tha Kurti.
Ai thotë se Kosova i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Brukselit për dialog, por kjo qasje sipas tij nuk po pranohet nga Serbia dhe nga presidenti i saj.
Kryeministri Kurti kritikoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që sipas tij po inkurajon grupet kriminale në veri të Kosovës.
“Ftesës për bisedime nga Brukseli i jemi përgjigjur pozitivisht. Kemi treguar gatishmërinë tonë për dialog, por presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe në vend të dialogut ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri të Kosovës. Provokimet e tilla janë të tilla, sepse krimi, tensioni, frika, kanë qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta në këto dy dekada”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit tha se ka ftuar mbajtjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës gjatë orëve të mbrëmjes së të shtunës.
Kurti përshëndeti deklarimet e Kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku për “unitet të plotë politik” dhe ftesës për një mbledhje të të gjitha partive. Ai tha se aktualisht kryesore është të mbështetet Policia e Kosovës.
“Padyshim që mund të ketë takim të tillë, ajo që është më e rëndësishme është që ne duhet ta mbështesim policinë e Kosovës, që sot është emri kryesor i integritetit të kufijve, kushtetueshmërisë dhe sovranitetit”, tha Albin Kurti.
Pas konferencës së Kurtit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehu hapur mbështetjen për policinë dhe institucionet e Kosovës në veri.
“Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme. E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit”, tha Haradinaj.
LEXONI GJITHASHTU:
Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
- 13:28 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina
- 13:22 Presidenti finlandez propozon një BE me 40 anëtarë, përfshirë Kanadanë
- 13:09 Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
- 12:55 Shpërthim tritoli në derën e një dyqani në Laç, panik te qytetarët
- 12:48 “Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor