Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
4 Qershor 2026 | 13:09

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian është një domosdoshmëri strategjike.

Në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Costa deklaroi se rruga drejt anëtarësimit në BE bazohet te besimi dhe përparimi konkret në tre fusha kryesore: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, përafrimi me politikat dhe vlerat e BE-së, si dhe zbatimi i reformave të brendshme.

Ai nënvizoi se dialogu Beograd–Prishtinë dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbeten thelbësore për stabilitetin rajonal. Gjithashtu, kërkoi përparim në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

Costa përshëndeti miratimin e katër ligjeve zgjedhore javën e kaluar, por theksoi se Serbia duhet të adresojë edhe shqetësimet që lidhen me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin ndaj votuesve.  Presidenti i Këshillit Europian theksoi se dera e BE-së mbetet e hapur për Serbinë, por paralajmëroi se koha për vendime dhe veprime konkrete është tani. Sipas tij, ritmi i integrimit europian varet nga angazhimi dhe vendosmëria e vetë Serbisë për të përmbushur reformat e kërkuara.

FJALA e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa, në konferencën për shtyp pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç:

 “Është kënaqësi të rikthehem në Beograd, një vit pas vizitës sime të parë. Faleminderit, zoti President, për mikpritjen.

Së pari, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e ushtarit serb të UNIFIL-it, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në shërbim të paqes.

Jam këtu, ashtu si vitin e kaluar, për të rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian ndaj perspektivës europiane të Serbisë.

Në këto kohë pasigurie gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmërie ekonomike, zgjerimi nuk është vetëm një mundësi. Ai është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën. Është një investim në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit tonë, në dobi të të gjithë qytetarëve europianë, por edhe të qytetarëve të Serbisë.

Megjithatë, zgjerimi bazohet mbi ndërtimin e besimit. Rruga përpara është kërkuese, por drejtimi është i qartë. Duhet të përqendrohemi në tre prioritete kryesore:

•             Nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. Këto janë jetike si për sigurinë, ashtu edhe për prosperitetin ekonomik. Dialogu Beograd–Prishtinë dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit janë thelbësore në këtë drejtim.

•             Përafrimi me politikat dhe vlerat e Bashkimit Europian, veçanërisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Këto nuk janë thjesht parime që ne mbrojmë; ato janë themeli i projektit europian dhe i partneritetit tonë me Serbinë.

•             Zbatimi i reformave të vazhdueshme, i domosdoshëm për përparimin në procesin e anëtarësimit.

Ne e inkurajojmë Serbinë të përshpejtojë reformat në tre fusha të rëndësishme:

•             Sundimi i ligjit, përfshirë zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias për ligjet që rregullojnë gjyqësorin dhe prokurorinë.

•             Liria e medias, duke garantuar një mjedis të përshtatshëm për mediat dhe krijimin e një Këshilli të ri të REM-it në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

•             Reforma zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it para zgjedhjeve të ardhshme në Serbi.

Përshëndes miratimin e katër ligjeve zgjedhore javën e kaluar si një hap shumë të rëndësishëm. Tani është e nevojshme të përmbushen edhe rekomandimet e mbetura, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe presionit ndaj votuesve.

E di që këto reforma nuk janë të lehta. Ato duhet të përfshijnë të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë opozitën dhe shoqërinë civile. Procesi i anëtarësimit nuk është vetëm detyrë e qeverisë; ai kërkon mobilizimin e plotë të shoqërisë serbe.

Por këto përpjekje ia vlejnë, sepse e afrojnë Serbinë me objektivin tonë të përbashkët: anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne, si Bashkim Europian, jemi këtu për ta mbështetur Serbinë në këtë rrugë.

Bashkimi Europian mbetet partneri më i rëndësishëm i Serbisë në tregti, investime dhe forcimin e institucioneve demokratike. Ne duam dhe jemi të gatshëm të bëjmë më shumë. Por dua të jem i qartë: ritmi i progresit varet nga vendosmëria e vetë Serbisë.

Koha është thelbësore. Dera e Bashkimit Europian mbetet e hapur, por momenti për veprime vendimtare është tani.

Jam i bindur se duke punuar së bashku, me sinqeritet dhe afërsi, do ta arrijmë qëllimin tonë të përbashkët: që Serbia të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Europian”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve

Skëndër Brataj, Drejtor i Urgjencës ka njoftuar mbi gjendjen aktuale të evektivit të plagosur Edison Adri. Brataj shpjegon se gjendja e tij është stabilizuar dhe...
11:22 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026

Kaseta e “21 janarit” dërgohet për ekspertizë në SHBA

Në kuadër të hetimeve për dosjen “21 janari” , Prokuroria e Posaçme ka vendosur të dërgojë për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio...
12:19 | 02/06/2026