Irani pajtohet për rifillimin e bisedimeve bërthamore

28 Tetor 2021 | 09:42

Irani ka pranuar të rikthehet në bisedimet për armët bërthamore para fundit të muajit nëntorit, tha kryenegociatori iranian Ali Bagheri Kani të mërkurën.

Këto negociata synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, me të cilën Irani ka kufizuar aktivitetin e vet bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione të ashpra kundër Iranit, edhe pse ky i fundit ka vepruar në pajtim me marrëveshjen.

Teherani, në përgjigje pastaj, ka shkelur gradualisht kufijtë e vendosur nga marrëveshja, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit.

Presidenti i sotëm amerikan, Joe Biden, ka propozuar që marrëveshja të ringjallet, por gjashtë raundet e bisedimeve indirekte të SHBA-së me Iranin, që kanë nisur në prill dhe janë mbajtur në Vjenë, nuk kanë sjellë ndonjë përparim.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken paralajmëroi në fillim të këtij muaji se dritarja për diplomacinë me Teheranin po mbyllej.

“Unë nuk do të vendos një datë specifike për të, por me çdo ditë që kalon dhe Irani refuzon të angazhohet në mirëbesim, pista shkurtohet,” tha Blinken.

Gjatë një fjalimi përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, presidenti iranian Ebrahim Raisi këmbënguli se SHBA është fajtore për daljen nga marrëveshja bërthamore dhe theksoi se SHBA duhet të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes, së pari, duke hequr sanksionet.

Në muajt e fundit ka pasur vonesa të vazhdueshme në ringjalljen e bisedimeve, pasi ndërmjetësit e BE-së dhe Irani kanë diskutuar kushtet e rikthimit në negociata.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Uashingtoni është i gatshëm të kthehet në Vjenë për negociata indirekte me Teheranin.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026