6 trashëgimi që shënjuan epokën e Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë

9 Dhjetor 2021 | 12:44

Sot shënohet fundi i një epoke në politikën globale, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel la postin pas 16 vitesh në pushtet.

Një ish-shkencëtare e rritur në Gjermaninë lindore komuniste, punoi me më shumë se 4 presidentë amerikanë, 4 presidentë francezë, 5 kryeministra britanikë dhe 8 kryeministra italianë.

Gjatë mandatit të saj pothuajse rekord, kancelarja e parë grua e vendit u vlerësua për përballimin me sukses të një sërë krizash, mbrojtjen e vlerave perëndimore në kohë të trazuara dhe figurën e saj që ishte model për gratë.

Stili i saj qeverisës mori lavdërime, por ekspertët sollën në vëmendje që kur bëhej fjalë për disa nga politikat e saj “kishte hapësirë për kritika”.

Merkel u largua, por ne po ju rendisim 6 trashëgimi që përkufizojnë figurën e saj si kancelare në 16 vite, dhe sa nga këto ka të ngjarë të mbartë pasardhësi i saj Olaf Scholz.

Gruaja e parë që u bë kancelare

Angela Merkel ishte “gruaja e parë dhe e para gjermano-lindore” që u bë kancelare, tha eksperti gjerman i politikës, Rafael Loss duke vënë në dukje se të dyja ishin të nënpërfaqësuara në vend.

Ndikimi i mandatit të saj 16-vjeçar në rritjen e përfaqësimit për dy grupet e sipërpërmendura është i dukshëm edhe në qeverinë e re.

“Ne shohim në qeverinë e re gjermane se kabineti është në balancë gjinore. Gratë do të drejtojnë politikën e jashtme me Annalena Baerbock në Ministrinë e Jashtme dhe Christine Lambrecht në Ministrinë e Mbrojtjes,” tha Loss për Euronews.

Menaxhere e aftë e krizës në skenën europiane

Menaxhimi i krizës nga Merkel është ndoshta një nga trashëgimitë më të vyera të kancelares dhe pika ku vlerësohet më së shumti.

“Në kontekstin e Bashkimit Europian, Angela Merkel ka fituar një reputacion si dikush që është shumë i mirëpërgatitur, që qëndron deri vonë, flet me të gjithë dhe punon me të gjitha palët derisa të arrihet një marrëveshje”, u shpreh Rafael Loss.

Pandemia e COVID-19 shënoi një tjetër moment vendimtar të Merkel si kancelare. Ekspertët politikë pretendojnë se ajo nuk paraqiti kurrë një vizion për BE-në, ndryshe nga Macron.

Sipas tyre kjo është një lloj taktike e shkëlqyer, por mungonte një pikëpamje strategjike që rrjedhimisht e bënte të vështirë për vendet e tjera europiane pozicionimin përballë Gjermanisë dhe interesave të vendit.

Ndryshimi në qasjen e Gjermanisë për mikpritjen e refugjatëve

E pyetur në një intervistë të fundit për Deutsche Welle se cilat kriza i konsideronte më sfidueset, Merkel identifikoi pandeminë dhe numrin e madh të refugjatëve. Për rastin e fundit kancelarja tha se nuk i pëlqente ta përshkruante si krizë, sepse “njerëzit janë njerëz”.

Sipas ekspertëve, trajtimi i krizës së refugjatëve nga Merkel do të mbetet ndër trashëgimitë e saj më të rëndësishme dhe të suksesshme.

“Të mos harrojmë, sot gjashtë vjet më parë, shumë njerëz thoshin ‘ky është një eksperiment i madh social’. Dhe në fund, funksionoi,” tha Matthias Matthijs, një profesor i asociuar i ekonomisë politike ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Në intervistën e saj për DW, Merkel pranoi se kishte probleme, por në përgjithësi gjithçka kishte shkuar mirë dhe sot mund të ilustronte me shembuj zhvillimin e suksesshëm njerëzor.

Ajo pranoi se tabloja e përgjithshme mbi migracionin mbetet sfiduese, me çështje ende të pazgjidhura që i bëjnë njerëzit të largohen dhe Bashkimi Europian nuk ka arritur të krijojë një sistem të vetëm migracioni dhe azili.

Parandalimi i ekstremeve politike në vend

Një trashëgimi shpesh e anashkaluar e Merkel është se ekstremet politike, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, humbën terren gjatë kohës kur ajo ishte kancelare.

Në zgjedhjet e shtatorit 2021, si AFD e ekstremit të djathtë dhe e majta ekstreme Die Linke humbën vende në parlament në krahasim me vitin 2017.

Për Matthias Matthijs, stili i politikës “racional, i drejtuar nga konsensusi” i Merkel shpjegon “pse e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme nuk janë aq tërheqëse” për shumë nga bashkëqytetarët e saj.

“Në fund, ajo gjeti një stil qeverisjeje dhe një rrugë qeverisëse që, mendoj, për shumicën e gjermanëve ishte e pranueshme”, u shpreh eksperti.

Përfitimet afatshkurtra kundrejt vizionit afatgjatë

Ndërsa Merkel mori vlerësime për stilin e saj të qeverisjes, “kur bëhet fjalë për trashëgiminë e saj mbi politikat, ka vend për të qenë shumë më kritik,” tha Matthijs për Euronews.

Sipas tij, Merkel ishte shumë më rehat me autokratët, qofshin ata në BE ose jo.

“Pra, pavarësisht nëse ishte Putin në Rusi, qoftë Xi në Kinë, ajo gjithmonë i vendosi interesat ekonomike gjeopolitike tregtare të Gjermanisë përpara të drejtave të njeriut dhe demokracisë”, deklaroi Matthijs.

E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhënien e saj me Viktor Orbán të Hungarisë ose Jarosłaë Kaczyński të Polonisë, sipas tij.

Merkel shpesh merrte vendime për “zgjedhje të përshtatshme me përfitime afatshkurtra, por kjo krijonte probleme afatgjata”.

Scholz vendosi të mbartë trashëgiminë e Merkel, por me disa ndryshime

Olaf Scholz duket i gatshëm të mbartë me vete gjatë qeverisjes së tij një pjesë të madhe të trashëgimisë së Merkel si në stil ashtu edhe në përmbajtje.

Ekspertët politikë vënë në dukje se Scholz dhe Merkel ndajnë “një stil menaxherial për politikën, në vend të një stili ideologjik”.

Ata kanë bashkëpunuar ngushtësisht së bashku, andaj është shumë e kuptueshme që kancelari i ri të marrë trashëgimitë e Merkel dhe t’iu qëndrojë besnik metodave të saj të qeverisjes, sigurisht duke e ndërthurur me stilin e tij të punës.

Olaf Scholz ka qenë ministër i financave në kohën e qeverisjes së Merkel për katër vjet.

Rafael Loss vuri në dukje dallimet në politikat sociale më progresive të përshkruara nga qeveria e re e Scholz.

Ndërkohë sipas Matthias Matthijs në nivel europian, do të ketë më shumë qasje ndaj asaj që ekonomistët e quajnë plotësimin e bashkimit ekonomik dhe monetar.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026