”Të ruhemi nga virusi, por edhe nga censura,” gazetarisë i ngrihen pengesa të reja në kohë pandemie

29 Prill 2020 | 17:43

Pasojat e pandemisë tek informacioni dhe media ishin në qendër të një diskutimi ku morën pjesë folës me përvojë në fushën e medias dhe komunikimit, të organizuar nga Qendra ‘Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV).

Dizinformimi, censura, por edhe nevoja për rritjen e kapaciteteve të gazetarëve, si dhe lexuesve ishin disa nga pikat e cekura në diskutimin e organizuar online.

“Në Shqipëri operojnë rreth 800 portale,” tha z. Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve.

Sipas tij, një pjesë e tyre përdorin disa nga teknikat e dezinformimit që lidhen me hedhjen në qarkullim të historive të koordinuara, titujt jokorrektë, përzgjedhjen selektive të fakteve apo qëndrimeve, si dhe portretizimin e opinioneve personale të gazetarëve si qëndrime zyrtare.

“Ka shumë teknika të dezinformimit, ato kanë të bëjnë me tendencën për të shkaktuar një jehonë. Një ndër teknikat e përdorura rëndomtë është teknika e ping-pongut që koordinon disa website duke futur histori në qarkullim, për ta çuar në këndvështrim sipas interesit të tyre. Kjo dallon tek përplasjet politike, por edhe tek grupet e interesit, bizneset dhe ata që ushtrojnë presion mbi politikëbërësit për interesa specifike, si për shembull nga oligarkët,” tha z. Çipa.

Gazetari me përvojë Gjergj Erebara, nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative BIRN u fokusua veçanërisht tek ndikimi i pandemisë tek media, por edhe mënyra se si po informohemi.

Ndërsa theksoi se po informohemi më shumë se kurrë, z. Erebara u shpreh se qeveria shqiptare po shfrytëzon çastin për të fuqizuar axhendën e saj personale.

“Situata e pandemisë është e përzierë me axhendën personale të qeverisë, konkretisht kryeministrit Edi Rama i cili ka një betejë të vjetër me median dhe të vërtetën, ka rreth 20 vite që çdo akuzë për korrupsion e konsideron shpifje dhe në vend që t’i japë përgjigje, sulmon të vërtetën,” tha z. Erebara.

“Një nga këto situata ishte kur z. Rama i dërgoi një sms të gjithë qytetarëve të vendit, ku në vend që t’i thoshte ruhuni nga dezinformimi, i tha ruhuni nga media. Qeveria po përpiqet të përdorë pandeminë për të forcuar më tej thuajse monopolin që ka mbi të vërtetën. Kontrollin që ka mbi median konvencionale dhe dominimin që i bën tashmë medias sociale,” shtoi ai.

Sipas gazetarit të BIRN megjithatë gazetarëve nuk po u lihet hapësirë për të verifikuar faktet e shpërndara nga qeveria dhe as për të kërkuar llogari.

“Kur vjen puna për të verifikuar se çfarë cilësie ka ky informacion dhe a është i vërtetë, këtu pastaj gjendesh i zhytur në faktin që pandemia është e rrezikshme, dhe logjika na shtyn që të injorojmë teknikalitetet nëse autoritetet po japin informacion të vërtetë, nëse po e bëjnë punën e vet siç duhet, nëse masat represive ndaj qytetarëve janë të justifikuara apo të pajustifikuara, këto neve nuk i diskutojmë dot më sepse kemi rrezikun e pandemisë. Qeveria përdor një retorikë lufte, që është figurë letrare na kthehet dhe na forcohet sikur është rend kushtetues, në fakt ne nuk jemi në situatë lufte, jemi thjesht në situatë pandemie,” tha z. Erebara.

Ai theksoi se nga një anë ka rrezik nga dezinformimi, por rreziku më i madh është nga censura që bën qeveria mbi mjetet e komunikimit dhe pamundësia që kanë gazetarët sot për të ngritur dhe pyetjet.

“Sa është kapaciteti testues i institucioneve të shëndetit publik sot? Nëse do të ketë nevojë të shtohet kapaciteti i testimit, a është e lehtë apo është e vështirë?

Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje nga dominimi i diskursit se jemi në situatë pandemie, të gjitha pyetjet janë të padëshirueshme. Përveçse nga virusi, duhet të ruhemi edhe nga censura ose dezinformimi që prodhon drejtpërsëdrejti i ashtuquajturi kanali zyrtar i informimit,” përfundoi z. Erebara.

Screenshot 5

Eksperti i ekonomisë z. Zef Preçi tha se ndoshta ka ardhur koha për t’iu rikthyer rritjes së kapaciteteve tek gazetarët.

“Vërtet janë 800 portale, por janë 800 licenca më shumë, sesa 800 burime informimi. Mos injoroni asnjëherë mungesën e kapaciteteve të atyre që shërbejnë si ndërmjetës në informim. Midis një shtypi siç është dhe midis një shtypi të kontrolluar nga qeveria, unë zgjedh gjithnjë të parin,” deklaroi ai.

Nora Kushti, menaxhere komunikimi për UNDP në Shqipëri tha se përdorimi i teknologjisë për të luftuar lajmet e rreme ishte thelbësor.

“Lajmi i rremë luftohet duke përhapur të dhëna të besueshme, të certifikuara nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. Ne kemi krijuar një website #perhapfjalenjovirusin me të dhëna të besueshme, ndër të tjera edhe me një doktor pneumolog, i cili është i disponueshëm 4 herë në javë për t’iu përgjigjur pyetjeve të publikut,” tha znj. Kushti.

Megjithatë sfidat nuk duket se paraqiten vetëm për ata që i prodhojnë lajmet, por edhe ata që i konsumojnë ato.

Blerjana Bino, një hulumtuese e medias dhe komunikimit nga SCiDEV deklaroi se nevoja për edukim në marrjen e informacionit ka një rëndësi tepër të madhe.

“Të rinjtë përdorin platformat sociale si burime parësore të informacionit dhe kjo nuk u mundëson atyre verifikimin në disa shkallë të informacionit. Kemi nevojë për edukim për mënyrën si duhet lexuar, informuar dhe verifikuar lajmi,” u shpreh znj. Bino.

“Nga kjo pikëpamje besoj se ka shumë nevojë për edukim për të gjithë brezat, duhet të investohemi shumë në përgatitjen e gazetarëve të rinj, shoh që ka demotivim tek gazetarët e rinj. Këto fushata të linçimit të gazetarëve profesionistë nuk po i motivon të rinjtë që të ndjekin karrierën në gazetari. Mendoj se pavarësisht gazetarisë qytetarë, online dhe përfitimeve të teknologjisë gjithsesi ne do të kemi gjithnjë nevojë për gazetarinë e mirëfilltë dhe gazetarët e vërtetë,” shtoi znj. Bino duke e përmbyllur fjalën me nevojën që media vetë duhet të rrisë nivelin e besueshmërisë së saj tek qytetarët.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Shqipëria e shqiptarëve”, pankartat e qytetarëve në protestë (FOTO)

Qindra qytetarë dhe aktivistë janë bashkuar edhe këtë të enjte në protestën e radhës kundër ndërtimit në Zvërnec. Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë...
19:47 | 04/06/2026

Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec

Protesta e qytetarëve në Vlorë ka vijuar edhe sot pranë Sheshit të Flamurit. Ndryshe nga ditët e mëparshme, pjesëmarrja është raportuar më e ulët, ndërsa...
19:39 | 04/06/2026

Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)

Po zhvillohet edhe këtë të enjte dita e pestë e protestës në Tiranë kundër projektit në Zvërnec. Në këtë marshim kanë marrë pjesë qindra qytetarë,...
19:25 | 04/06/2026