Kosova rreshtohet me Perëndimin përballë Rusisë

22 Shkurt 2022 | 12:10

Qeveria e Kosovës mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin teritorial të Ukrainës, tha sot kryeministri Albin Kurti.

Këtë deklaratë Kurti e bëri pasi deputetët e mazhorancës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë.

Kurti shtoi se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.

Në seancën plenare, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se efektet e para të krizës në Ukrainë janë vërejtur në Kosovë dhe rajon.

Ai ka thënë se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të mblidhen dhe “të shqyrtojnë e monitorojnë me kujdes situatën me të cilën bota është duke u ballafaquar”.

“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate të jemi të bashkuar përballë një krize që mundet në mënyrë direkte apo indirekte të na prekë të gjithë neve dhe rajonin”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, theksoi se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa kërkoi edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

“Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse sikurse kemi bërë në vitin 2014 kur është aneksuar Krimea. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, u shpreh Hoxha.

Më herët, Ministria e Jashtme e Kosovës është deklaruar në mbështetje të Ukrainës, duke thënë se Putin po lufton kundër demokracisë në Evropë.

“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putini edhe njëherë po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagim.

Edhe Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po ashtu dënuan vendimin e presidentit rus, duke e cilësuar shkelje të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës.

“Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar në rrjete sociale ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Një ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se është i shqetësuar se kriza e Ukrainës “mund të përhapet në pjesë tjera të Evropës dhe në botë, sidomos në Ballkanin Perëndimor”.

“Si komandant suprem kam lëshuar një urdhër për pjesëtarët e ushtrisë serbe dhe një kërkesë për forcat policore dhe njësitë speciale, që të përgatiten sa më mirë të jetë e mundshme, të vazhdojnë investimet në pajisje dhe armatim. Ne mendonin se paqja ishte diçka e mirëqenë, sot padyshim që nuk është kështu”, theksoi Vuçiç.

Vuçic shtoi se presionet politike ndaj Serbisë do të jenë më të mëdha se kurrë.

“Mund ta imagjinoni se sa presion do të ketë ndaj Serbisë tani për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, unë kam pasur tashmë thirrje për këtë çështje”, tha Vuçiç.

Rusia ka mbledhur më shumë se 150,000 trupa afër kufirit të Ukrainës në muajt e fundit, duke rritur shqetësimet për pushtim të shpejtë të shtetit fqinj.

LEXONI GJITHASHTU: 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Detaje të reja nga ngjarja në Podujevë, katër të plagosurit raportohen jashtë rrezikut për jetën

Katër personat e plagosur gjatë incidentit të armatosur në Podujevë po marrin trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në...
16:01 | 02/07/2026

Të shtëna me armë në qendër të Podujevës, 3 të plagosur

Tre persona janë plagosur gjatë incidentit me të shtëna me armë në qendër të Podujevës, ka konfirmuar për Euronews Albania, zëdhënësi i Policisë së Kosovës...
14:22 | 02/07/2026

Lojërat Mesdhetare, Kosova: Franca ndër aleatet kryesore në organizimin e ngjarjes sportive

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim bilateral me Ministren franceze, Marina Ferrari, në kuadër të International Meetings on...
11:24 | 02/07/2026