Shqipëria humbi busullën në Francë, ndërsa himni iu ngatërrua

9 Shtator 2019 | 10:29

Franca fitoi me meritë 4-1 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen e zhvilluar në “Stade de France” të Parisit mbrëmjen e së shtunës, por më shumë sesa rezultati dhe loja zhgënjyese e kuqezinjve të drejtuar nga Edoardo “Edy” Reja, kjo ndeshje do të mbetet ndoshta në histori për shkak të situatës së krijuar përpara fillimit të ndeshjes.

Dy ekipet kombëtare kishin përfunduar nxehjen në tapetin e gjelbër të stadiumit e po përgatiteshin për luajtjen e himneve respektive, një ritual i përhershëm përpara fillimit të sfidave ndërkombëtare, përpara se të pozicionoheshin në fushë dhe të nisnin topin nga qendra.

Pikërisht, këtu, shpërtheu një ndienjë konfuzioni mes futbollistëve kuqezi të bashkuar me duart në shpinën e njeri-tjetrit, pasi ai që po dëgjonin e që duhej të këndonin nuk ishte himni i Shqipërisë, por i Andorrës, rival me të cilin “gjelat” e Francës do të ndeshen mbrëmjen e së martës.

Nisja e takimit të vlefshëm për kualifikueset e Euro 2020 u shty me disa minuta për të mundësuar luajtjen e himnit korrekt. Por, situata u rëndua edhe më shumë, kur folësi i stadiumit u kërkoi falje tifozëve të Armenisë për gabimin e bërë. Tifozët kuqezi të pranishëm në “Stade de France”, e shoqëruan me vërshëllima momentin kur po luhej himni i Andorrës.

Lojtarët u detyruan më pas të rreshtoheshin sërish përpara tribunës VIP, pas konsultës së zyrtarëve shqiptarë me arbitrin e sfidës për të luajtur këtë herë himnin e duhur, atë të Shqipërisë.

“Kërkova falje ndaj pankinës së Shqipërisë, por edhe trajnerit Reja. Ishte diçka që nuk duhej të ndodhte, por ndodhi. E kuptoj shumë mirë pozitën e shqiptarëve dhe ishte logjike që të prisnim derisa të luhej himni i tyre”, u tha trajneri francez Didier Deschamps reporterëve të interesuar pas përfundimit të ndeshjes. Një ditë më pas, edhe presidenti francez, Emmanuel Macron i kërkoi ndjesë për gjithçka ndodhi kryeministrit Edi Rama.

Sa i përket 90-minutëshit, gjithçka foli në favor të “gjelave” që shënuan dy herë me anë të Kingsley Coman, ndërsa rrugën e golit e gjetën edhe Olivier Giroud dhe Jonathan Ikone. Golin e vetëm për Shqipërinë e shënoi Sokol Cikalleshi, nga pika e bardhë e 11-metërshit të fituar prej vetë atij.

Franca mund ta kishte thelluar edhe më shumë rezultatin, por të kihet parasysh se sulmuesi Antoine Griezmann humbi një 11-metërsh të përplasur në traversën e portës së mbrojtur nga Thomas Strakosha. Kuqezinjtë vuajtën një mungesë të theksuar organizimi në fushë, me lojtarë si Odise Roshi të aktivizuar jashtë pozicionit natyral, e Hysajn që ndryshonte shpesh krah, por pa qenë i zoti të ndalte “furinë” e kampionëve të botës në fuqi.

Renditja e grupit H të kualifikueseve kryesohet nga Franca, e shkëputur vetëm falë golavarazhit përkundrejt Turqisë dhe Islandës, pasi të trija kombëtaret kanë nga 12 pikë. Franca do të ketë sërish një ndeshje të lehtë në letër, atë ndaj Andorrës në shtëpi, ndërsa Shqipëria do të presë mbrëmjen e së martës ishullorët e Islandës në “Elbasan Arena”. Fitorja është kthyer tashmë në detyrim për kuqezinjtë e mbërthyer në kuotën e 6 pikëve në grup, përndryshe kualifikimi në Evropianin e 2020-ës do të mbetet thjesht një ëndërr.

Në Evropianin që do të zhvillohet në 12 qytete anembanë Evropës, kualifikohen dy të parat e secilit grup, ndërsa 4 pjesëmarrësit e tjerë do të dalin nga sfidat “play off”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Asllani nuk e meriton formacionin”, trajneri Zela: S’ka ritëm, nuk përplaset kurrë

Ditën e djeshme ekipi kombëtar i futbollit humbi 1-0 ndaj miqësores me Izraelin në stadiumin “Air Albania”. Në një lidhje live për “Kubi Sportiv” me...
18:53 | 04/06/2026

Bayer Leverkusen shkarkon Hjulmandin, e zëvëndëson Martinez Novell

Bayer Leverkusen shkarkoi Kasper Hjulmand të enjten pas më pak se një viti në krye dhe punësoi ish-trajnerin e Toulouse, Carles Martinez Novell, si zëvendësues...
16:53 | 04/06/2026

Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione

Trajneri Rolando Maran ka debutuar me humbje në stolin e kombëtares shqiptare, duke u mposhtur 0-1 në miqësoren përballë Izraelit. Ndonëse ishte një ndeshje miqësore,...
22:17 | 03/06/2026