Europa Nostra për Euronews Albania: Teatri Kombëtar kishte vlerë arkitekturore, intelektuale dhe kulturore për Shqipërinë dhe Europën
Sneshka Mihailoviç, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra, shpjegoi në emisionin Ilva Now në Euronews Albania drejtpërdrejt nga Haga pse u përfshi në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Pjesë nga intervista
Sneshka Mihailoviç: Roli i Europa Nostra nëpërmjet listës së “7 Objekteve të Rrezikuara” është të ofrojë mbështetje dhe solidaritet për organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri. Qëllimi në fakt ishte të dërgonim një grup ekspertësh në Tiranë për të pasur një gamë të gjerë diskutimesh, fillimisht me autoritetet, qofshin ato kombëtare apo vendore, me ekspertët si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Ne dëshironim të dëgjonim në Tiranë zërat e të gjithëve, por për shkak të pandemisë e kishim të pamundur të vinim menjëherë dhe na u desh të presim zhvillimet e mëtejshme. Pjesë e grupit do të isha unë dhe një anëtar tjetër i bordit drejtues të Europa Nostrës, profesori i nderuar Paolo Viti, profesor historie dhe arkitekture, zëvendës president i organizatës sonë që për shumë vite ka punuar në Bankën Europiane të Investimeve. Misioni ynë ishte mision ndihme. Ne donim të ndihmonim për të gjetur një zgjidhje, të shpëtonim ndërtesën dhe në të njëjtën kohë të mos krijonim barriera për zhvillimin e Tiranës. Të siguronim që një ndërtesë e tillë ikonë dhe vend kujtimesh në Tiranë, të ruhej për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë në të ardhmen.
Ilva Tare: Zonja Sekretare e Përgjithshme e Europa Nostra, si është realizuar vlerësimi i Teatrit Kombëtar shqiptar, për t’u cilësuar si një nga 7 ndërtesat e rrezikuara? Çfarë procesi ndoqët dhe kush ishte përfshirë në të? Cilat qenë kriteret mbi të cilat u bazuat?
Sneshka Mihailoviç: Ne kemi një grup të shquar ekspertësh, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën. Një pjesë e grupit këshillues u takua në Hagë në muajin nëntor dhe ne kemi marrë një numër të madh propozimesh nga e gjithë Europa. I kemi studiuar të gjitha këto raste në detaj, kemi bërë pyetje në lidhje me to, kemi plotësuar formularë në lidhje me to në mënyrë që paneli këshillues të marrë një pamje të plotë dhe serioze të situatës në terren. Kriteret për ta vendosur atë në listën e 7 vendeve më të rrezikuara, sepse ne përkujdesemi për të gjitha ndërtesat në rrezik, është që vendi i cili do të përfshihet në atë listë duhet të ketë një simbolikë për kulturën europiane. Në lidhje me rastin në fjalë, Teatrin Kombëtar shqiptar, nuk ka asnjë dyshim se kjo ndërtesë nuk ka kuptim vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Jo vetëm në aspektin e dukshëm atë arkitekturor, por edhe për rëndësinë e madhe në jetën intelektuale dhe kulturore për 80 vite rresht në Tiranë. Kriteri i dytë mbi të cilin jemi bazuar është kërcënimi i dukshëm dhe serioz me të cilin përballej. Dhe siç edhe mund ta shihni, ne kishim të drejtë të mendonim se teatri përballej me një rrezik tejet të madh dhe të pashmangshëm për t’u shembur dhe në një mënyrë kaq brutale . Kriteri ynë i tretë për ta vendosur në atë listë, është ekzistenca e një komuniteti, një shoqërie civile, një numri të madh personash që gjenden aty e të cilët luftojnë për të mbrojtur teatrin. Dhe të gjithë e dinë shumë mirë se për pothuajse dy vjet ka pasur një qëndresë heroike, artistësh, gazetarësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile, të cilët kanë ruajtur teatrin duke bërë thirrje për dialog. Dialog me autoritet vendore dhe kombëtare për të gjetur një zgjidhje, që do të siguronte ruajtjen e teatrit dhe nuk do të krijonte asnjë pengesë në planet e bëra për teatrin e ri, i cili sigurisht mund të ishte ndërtuar në një vend tjetër. Të gjitha këto kritere janë shumë të rëndësishme dhe të gjithë këto ishin të plotësuar për emërimin e Teatrit Kombëtar shqiptar. Vendimi i grupit tonë të ekspertëve dhe arkitektëve, planifikuesve urban dhe ekonomistëve ishte unanim, ata folën njëzëri kur thanë se kjo ndërtesë duhet përfshirë në listën e 7 ndërtesave më të rrezikuara.
Lexoni gjithashtu:
”Teatri një plagë për Shqipërinë, por palët duhet të dialogojnë,” nxit Mihailoviç nga Europa Nostra
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 19:47 “Shqipëria e shqiptarëve”, pankartat e qytetarëve në protestë (FOTO)
- 19:39 Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec
- 19:28 Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit
- 19:25 Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
- 19:10 Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit