Falimenton kompania më e vjetër britanike e fluturimeve, 600 mijë pushues mbeten në aeroporte

23 Shtator 2019 | 11:11

Mund të quhet fare mirë si përpjekja më e madhe për riatdhesim në kohë paqeje, regjistruar ndonjëherë në historinë e Britanisë së Madhe. Gjithçka ndodhi pasi firma britanike e fluturimeve ajrore “Thomas Cook” ndërpreu ofrimin e shërbimeve gjatë së hënës, duke lënë të bllokuar rreth 600 mijë pushues në mbarë botën.

Kompania në fjalë shpalli falimentin, pasi nuk mundi të siguronte një paketë ndihme nga huadhënësit gjatë bisedimeve të furishme përgjatë të gjithë fundjavës.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se “Thomas Cook” kishte bërë një kërkesë ndaj qeverisë për një shumë prej 150 milionë paund, por shtoi gjithashtu se, nëse do të akordohej një shumë e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm në rast vështirësish financiare, me të cilat do të përballeshin kompani të tjera në të ardhmen.

“Do të doja t’u kërkoja falje miliona klientëve tanë, mijëra punonjësve, furnitorëve dhe partnerëve, që na kanë mbështetur në kaq shumë vite”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë “Thomas Cook”, Peter Fankhauser, në deklaratën e publikuar mëngjesin e kësaj të hëne. “Ndiejmë një keqardhje të thellë, qoftë unë, ashtu dhe pjesa tjetër e bordit drejtues, që nuk mundëm të ishim të suksesshëm në këtë përpjekje”.

Autoriteti britanik i Aviacionit Civil (CAA) njoftoi se “Thomas Cook” ka ndalur shërbimet e tij dhe se, qeveria me autoritetet mbikëqyrëse kanë vënë në dispozicion një flotë aeroplanësh, që do të nisin rikthimin në shtëpi të më shumë se 150 mijë britanikëve gjatë dy javëve të ardhshme.

Falimenti shënon fundin e një prej firmave më të vjetra të fluturimeve ajrore në botë, që nisi biznesin e tij në vitin 1841. “Thomas Cook” zotëronte gjithashtu hotele, resorte dhe kompani udhëtimesh që ofronin shërbime për 19 milionë njerëz çdo vit në 16 vende të botës.

Qeveria dhe autoriteti mbikëqyrës i aviacionit civil bënë të ditur se, për shkak të shkallës së jashtëzakonshme të kësaj situate, bllokada ishte thuajse e paevitueshme. Të gjitha fluturimet e kësaj kompanie u anuluan, e vetëm në Spanjë ishin 46 të tilla përgjatë kësaj të hëne. Atyre që kishin prerë bileta udhëtimi iu komunikua se u duhej të ktheheshin përmes fluturimeve të organizuara nga qeveria britanike.

“Është një makth i vërtetë, jemi të stresuar dhe të shqetësuar”, do të shprehej një pushues britanik, në pritje të informacioneve për fluturimin e “Thomas Cook”, teksa ishte bllokuar në aeroportin “Palma” të ishullit të Majorkës, në Spanjë.

Në Greqi, ku janë bllokuar rreth 50 mijë udhëtarë, ministri grek i Turizmit tha se fluturimet e riatdhesimit kanë filluar nga puna.

“Janë organizuar disa fluturime shtesë nga aeroportet greke dhe 15 të parat janë gati t’u sigurojnë pushuesve rikthimin pa probleme në vendlindjen e tyre. Kostot e qëndrimit të tyre për këto ditë shtesë do të mbulohen nga ne”, tha ministri Harry Theoharis.

“Thomas Cook” u detyrohet hoteleve në Tunizi rreth 60 milionë euro për qëndrimet e udhëtarëve gjatë muajve korrik-gusht, sipas asaj që thotë ministri i Turizmit, Rene Trabelsi, i cili shtoi se rreth 4.500 klientë britanikë të kësaj firme janë ende në vendin afrikan. Disa hotele kanë mbajtur “peng” për pak kohë klientët për shkak të mosshlyerjes së pagesave, derisa autoritetet rregullatore britanike njoftuan stafet hoteliere se pagesat do të shlyhen nga qeveria përmes një skeme sigurimi.

Në Gjermani, një prej tregjeve më të mëdha të “Thomas Cook”, ndihmën ndaj udhëtarëve po e koordinojnë kompanitë e sigurimit.

Falimenti i “Thomas Cook” pritet të godasë në një periudhë afatgjatë sektorin e turizmit në destinacionet më të shpeshta të saj, Spanjë dhe Turqi, me këtë të fundit që pritet të humbasë nga 600 mijë deri në 700 mijë turistë në vit, sipas statistikave të Federatës turke të Hoteleri-Turizmit (TUROFED).

“Thomas Cook” u godit rëndë nga një borxh prej rreth 1.7 miliardë paund, nga konkurrenca “online”, ndryshueshmëria e tregut të fluturimeve ajrore, si dhe disa ngjarje gjeopolitike që i përmbysën sezonin e saj të verës. Edhe valët e të nxehtit të vitit të kaluar patën ndikim te financat e kompanisë, pasi klientët e saj anuluan shpesh dhe në momentet e fundit shumë rezervime.

Grupi drejtues tentoi të siguronte një paketë shpëtimi, kur pranoi kushtet kyçe të një plani rikapitalizimi prej 900 milionë paund, në marrëveshje me aksionarët kinezë “Fosun” dhe bankave të kompanive të udhëtimit në gusht, por në momentin kur gjithçka pritej të përmbyllej, kompania u ndesh me një kërkesë për përfshirjen e një godine prej 200 milionë paund në të, duke e bërë të pamundur planin e rikapitalizimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026