Kurz fiton zgjedhjet në Austri, do të jetë kancelari i ardhshëm i një qeverie koalicioni
Udhëheqësi konservator Sebastian Kurz triumfoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Austri, me partinë e tij Popullore (OVP) që u rendit e para me 38.4% të votave, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Ministria e Brendshme austriake.
Nuk ka asnjë dyshim që 33-vjeçari Kurz do të jetë kancelari i ardhshëm austriak, megjithatë atij do t’i duhet një partner koalicioni për të qeverisur vendin. Rezultati i zgjedhjeve do t’i bëjë vend bisedimeve të koalicionit, me Kurzin që do të zgjedhë partinë që do të qeverisë në partneritet me OVP-në.
Përveç partisë fituese, zgjedhjet rezultuan pozitive edhe për “Të gjelbrit”, që siguruan 12.4 për qind të mbështetjes popullore, nga 4 për qind të votave që kishin marrë herën e fundit, por podiumi plotësohet nga socialdemokratët me 21.5 për qind dhe “Partia e Lirisë” (FPO) e ekstremit të djathtë, me 17.3 për qind të votave.
Ish-partneri i koalicionit të shkuar qeveritar të drejtuar nga Kurz, “FPO” ka humbur gati 10 për qind të votave në krahasim me zgjedhjet e fundit. Partia është gjithashtu e përçarë, pas skandalit të videoregjistrimit që përfshiu ish-udhëheqësin e saj, Heinz-Christian Strache, që u bë shkak edhe për rrëzimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Kreu i ri i ekstremistëve të djathtë, Nobert Hofer kishte deklaruar përpara votimeve se do të dëshironte të vijonte “martesë” me Partinë Popullore të Kurzit, por gjërat duket se janë kompromentuar tashmë. Duke qenë humbësi më i madh i zgjedhjeve, vazhdimësia e koalicionit me FPO-në e Kurzit është i rrezikshëm, mendojnë ekspertë të politikës austriake.
Në aspektin politik, një ripërsëritje e koalicionit me ekstremin e djathtë do t’i lejonte Kurzit të ndiqte të njëjtat politika të qeverisë së shkuar, që u dallua për një qëndrim populist dhe antiemigracion. Por, dobësimi me 10 për qind të votave i FPO-së mund t’i japë mundësinë kancelarit të ardhshëm të mbajë një qëndrim më të ashpër në koalicion, gjë që nënkupton dhënien e më pak portofoleve për partnerin e ardhshëm.
Opsioni tjetër në tryezën e Kurzit është formimi i një koalicioni me “Të gjelbrit”, i mbiquajtur nga analistët si “inovativ”, pasi një i tillë do të jepte mesazhin se partia e kreut konservator është e gatshme të sjellë ndryshime. Kjo, sepse një koalicion me “Të gjelbrit” do të ishte risi në nivel kombëtar, ndërkohë që në të kaluarën ka pasur një bashkëpunim të tillë në nivel lokal.
Gjithsesi, zgjedhja e “Të gjelbërve” për koalicion do të ishte një sfidë më vete për Kurzin, të cilit do t’i duhej të përshtatej me qëndrimin proevropian të këtyre të fundit, duke zbutur retorikën antiemigracion të vetën. Një tjetër problem është historiku i zgjedhjeve të fundit, kur “Të gjelbrit” u refuzuan nga konservatorët gjatë bisedimeve për koalicion dhe nëse diçka e tillë realizohet këtë herë do të sillte përçarje të brendshme në këtë parti. “Të gjelbrit” aktualisht janë të ndarë brenda tyre mes të moderuarve dhe atyre që anojnë më shumë nga e majta.
Edhe pse rezultatet tregojnë qartazi se Kurz është “bosi”, sërish mbetet e vështirë të thuhet se cilën parti do të zgjedhë ai për koalicion, megjithatë opsioni më i fortë momentalisht duket ai i “Të gjelbërve”. Por, duke parë diferencën prej së paku 15% të votave me kundërshtarët politikë, Kurz nuk duhet të sillet, gjithnjë sipas analistëve, si “i forti që kërkon të rrëmbejë gjithçka nga partnerët”, pasi rrezikon të mos bindë askënd për qeveri koalicioni.
Javët e ardhshme priten diskutime të ethshme e ndoshta edhe dramatike, por përpara tyre duhet pritur java e ardhshme, kur do të bëhen publike edhe rezultatet e votave të dërguara me postë, për të mësuar kështu verdiktin përfundimtar të popullit austriak. Partitë pritet të zhvillojnë diskutime të brendshme përpara se të nisin bisedimet ndërpartiake dhe, nëse negociatat do të shkojnë mirë dhe shpejt, atëherë qeveria e re austriake mund të formohet për Krishtlindje.
Zgjedhje në Austri, Kurz synon rikthimin si kancelar pas skandalit “Ibiza gate”
Të fshehur brenda kamionit cisternë, gjenden 30 emigrantë në Turqi! Një i arrestuar
Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj
BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
- 19:10 Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
- 19:03 FOTOLAJM/ Del pankarta zyrtare e protestuesve: Nuk ka negociata, kërkesat janë të qarta
- 19:01 Rama nga Mali i Zi: Ta harrojnë të gjithë, po na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane
- 18:53 “Asllani nuk e meriton formacionin”, trajneri Zela: S’ka ritëm, nuk përplaset kurrë
- 18:48 Protestuesit kundra projektit të Zvërnecit mblidhen në bulevard, mbajnë 1 minutë heshtje për policin e vrarë në Maliq