Zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Rama: Duhet të ishte edhe opozita
Paraditen e së martës në mjediset e Pallatit të Kongreseve, zhvilloi mbledhjen e parë Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, i cili që pas Samitit të Zagrebit është takimi i parë ndërinstitucional për të bashkërenduar programin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në mbledhje morën pjesë Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ngarkuari me detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, deputetja Rudina Hajdari dhe deputeti Taulant Balla, ky i fundit në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit.
Mbledhja u drejtua nga deputetja Hajdari ndërsa ministri Cakaj prezantoi planin e veprimeve që do të marrë qeveria shqiptare për të siguruar integrimin në BE gjatë negociatave.
Në fjalën hapëse, Ambasadori Soreca tha se e mirëpriste bashkëpunimin mes palëve në mënyrë që të arrihet një punë më e suksesshme drejt negociatave. Ai vlerësoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe tha se pas 25 marsit, kur u mbajt Samiti i Zagrebit, integrimi është konkretizuar me një proces më të arritshëm falë metodologjisë së re.
“Falë metodologjisë së re shtetet e BE-së do të jenë më të pranishëm në procesin e integrimit për të siguruar që legjislacioni i Shqipërisë do të jetë në përputhje me atë të BE-së. Faza e re pas Samitit të Zagrebit është më komplekse sepse kërkon shndërrim të thellë të gjithë shoqërisë, por gjithashtu është më e thjeshtë sepse ka vetëm një drejtim ku do të ecet,” – tha Soreca duke theksuar se 97 për qind e shqiptarëve kërkojnë integrimin në BE.
Pas ambasadorit Soreca, Presidenti Ilir Meta foli për zhvillimet e fundit. Ky vlerësoi konkretizimin e vullnetit për të bashkërenduar punën për integrimin në një Këshill Kombëtar dhe theksoi se palët duhet të jenë më bashkëpunues.
“Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh, në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerë të tjerë europianë, si dhe SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar,” – tha Presidenti Meta teksa u shpreh mirënjohës për BE-në dhe frymën e treguar në Samitin e Zagrebit.
Teksa tha se sfida e parë që ka përpara Shqipëria është zbatimi i kodit të ri zgjedhor, Meta këmbënguli se plan-veprimi i qeverisë duhet të reflektojë kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Pas Metës më direkt u tregua Kryeministri Rama. Në një fjalim të gjatë ku përmendi dhe vlerësoi punën e qeverisë, Rama theksoi se procesi i integrimit nuk i është diktuar Shqipërisë nga të huajt, por nga ëndrra e kahershme për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Rama bëri një përmbledhje të reformave dhe përpjekjeve që po bën Shqipëria për t’iu afruar BE-së. Ai përmendi këtu reformën në drejtësi si “reformën e reformave” ndërsa shtoi se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbeten agjenda kryesore e qeverisë së tij.
Kryeministri përmendi dhe përballjen me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku një rol kryesor të planit të rindërtimit ka marrë edhe BE-ja. Ai vlerësoi faktin se BE-ja nuk i ktheu shpinën Shqipërisë duke treguar se ëndrra që trashëgohet si stafetë mes brezash është ëndrra e duhur.
Megjithatë Rama cilësoi si “vrimë të zezë” dhe “paaftësi kronike” mungesën e dialogut dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e krijuara nga politika, të cilat nuk e zënë dot peshën që ka integrimi.
Ai pranoi se ka çështje të hapura me opozitën apo dhe Presidentin Meta, por u pozicionua i hapur për të gjetur kompromis “pa shkuar në ambasada”.
“Nëse ky quhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, duhet të ishte edhe opozita, opozita e sotme është alternativë e qeverisë së nesërme. Dje kur u bë aplikimi 11 vite më parë ishte qeveri tjetër. Sidoqoftë dhe cilado qoftë forca politike në fund BE-ja nuk është institucion i konsensusit që të gjithë bien dakord për të gjithë, por BE-në e bën familje me nivel të lartë demokracie dhe bashkëjetese është jo se sa shumë bien dakord por se si administrojnë mosdakordësinë,” – tha Rama.
Për mungesën e opozitës foli edhe Taulant Balla. Ky tha se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte ftuar dhe se mazhoranca kishte “shpresuar që do ta merrte këtë hap të rëndësishëm, si një shprehje kuptimplotë se kur vjen fjala për integrimin europian jemi të gjithë bashkë”.
Kryeparlamentari Ruçi vlerësoi frymën e mirëkuptimit të arritur për reformën zgjedhore teksa theksoi se projekti i integrimit nuk i përket asnjë pale politike por të gjithëve. Ruçi kujtoi edhe kushtet e Bundestagut gjerman, ndërsa Avokatja e Popullit, Ballanca, në plan-veprimin, përveç gjithëpërfshirjes, kërkoi më shumë transparencë dhe saktësime.
Lexoni gjithashtu:
Deklarata e Zagrebit | Çfarë u ra dakord në samitin BE-Ballkan Perëndimor
Zef Mazi kryenegociatori i Shqipërisë me BE, Rama: I gatshëm të ulem në një tryezë me Metën e Bashën
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta