VV feston 15-vjetorin, Albin Kurti njofton krijimin e lëvizjes së re
Nën intonimin e himnit kombëtar dhe me valëvitjen e flamujve kuqezi, mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Prishtinës në tubimin e thirrur nga Vetëvendosje, në 15-vjetorin e themelimit të saj.
Në skenën e vendosur përballë qeverisë së Kosovës, u ngjitën për të folur para qytetarëve ish ministra e deputetë të partisë që qëndroi për 4 muaj në krye te ekzekutivit.
Por, brohoritjet më të mëdha u dëgjuan kur në skenë doli folësi i fundit, kreu i partisë, Albin Kurti. “Faleminderit që po e mbani distancën”, u shpreh ish-kryeministri i Kosovës.
Por, mijëra qytetarë që Kurti kishte përballë nuk mbanin distancën e një pjesë e tyre ishin edhe pa maska e dorëza. Madje rekomandimet e institucioneve shëndetësore në kohë pandemie nuk i respektuan kur u ngjitën bashkë në skenë as ish ministrat, deputetët e kryetarët e komunave të partisë që thirri tubimin.
Ndërsa të tubuarit thërrisnin slogane si: “Hajnat në burg”, “Me hajna nuk ka shtet”, “Vetëvendosje” dhe “Duam zgjedhje”, ish kryeministri që herën e fundit përshëndeti protestuesit e partisë së tij nga distanca, pra ballkoni i Qeverisë, sot që nuk është më në pushtet, masës iu drejtua nga afër .
Qeverinë e Avdullah Hotit e quajti qeveri “Koti” e presidentin e quajti “Hajn”. Kurti tha se, sfida e tyre 21 vjet pas çlirimit nga Serbia është çlirimi nga kapësit e shtetit dhe se do të rikthehen me pushtet më të madh pas zgjedhjeve që ata kërkojnë.
“Dymbëdhjetë qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, pati filluar një sundim nga brenda – njëherë nga UNMIK-u, që nuk solli as zhvillim demokratik e as progres ekonomik, e pastaj përmes një kaste të politikanëve që, në emër të çlirimit, filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërimin e popullit”, deklaroi kreu i VV-së.
Por, pati dhe një lajm. Vetëvendosje do të shtrihet dhe në Maqedoni. “Do të ketë Vetëvendosje në Kosovë, Shqipëri, diasporë e Maqedoni të Veriut”, tha lideri i VV-së.
Pasi përfundoi fjalimin, Kurti ftoi në skenë përfaqësuesit e partisë dhe rokerin Bujar Berisha, i cili u kujdes për muzikën gjatë dhe në fund të tubimit.
Gjatë kohës së mbajtjes së tubimit të Vetëvendosjes, nga ambientet e Institutit të Shëndetit Publik, kryeministri Avdullah Hoti tha se situata është alarmante dhe se masat shtrënguese mund të rikthehen. Të premten në Kosovë u shënuan 58 raste pozitive me COVID-19.
Lexoni gjithashtu:
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut