Fati i Kosovës në Ballkanin Perëndimor do të përcaktojë stabilitetin në vijim të Evropës
Si një kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë dua të ngre zërin e shtresës së margjinalizuar, të të rinjve, grave dhe minoriteteve në krye të agjendës politike. Por, si pjesëtare e parlamentit dua gjithashtu të korrigjoj gjithçka të rreme që është thënë në lidhje me Kosovën, që po pengon progresin e saj drejt integrimit evropian.
Zgjedhjet e parakohshme po mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, menjëherë pasi u mësua rreth një hetimi të ri për krime lufte të pretenduara si të kryera nga shqiptarët e Kosovës, nga Gjykata Speciale me seli në Hagë të Holandës. Edhe pse ngritja e saj u miratua nga Parlamenti i Kosovës, për shumicën e banorëve të saj hetimi konfirmon paragjykimet diskriminuese të Evropës ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Plot 11 vite pas shpalljes së pavarësisë, 4 shtete evropiane nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës, duke u kthyer kështu në një pengesë në përpjekjet e saj për t’u integruar në organizatat evropiane dhe botërore.
“Kosova është i vetmi vend në Ballkan, qytetarëve të së cilës u kërkohet të pajisen me viza përpara se të futen në vendet e zonës ‘Schengen’. Më 14 qershor të vitit 2012, Kosova siguroi të shumëpriturin udhërrëfyes drejt liberalizimit të vizave, por ende edhe sot asgjë nuk është materializuar”.
Kosova është i vetmi vend në Ballkan, qytetarëve të së cilës u kërkohet të pajisen me viza përpara se të futen në vendet e zonës “Schengen”. Më 14 qershor të vitit 2012, Kosova siguroi të shumëpriturin udhërrëfyes drejt liberalizimit të vizave, por ende edhe sot asgjë nuk është materializuar. Kundërshtitë vijnë nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, veçanërisht nga ato që nuk e kanë njohur ende Kosovën si një shtet të pavarur.
Qytetarët vendas dyshojnë se kjo vjen për shkak se Kosova është një vend me shumicë myslimane, më shumë sesa nga dështimi për të përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave. Për shembull, Kosova miratoi Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi nën një presion të madh nga komuniteti ndërkombëtar. Komisioni Evropian e kishte listuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, si një kusht të domosdoshëm për të aktivizuar regjimin e udhëtimeve pa viza për qytetarët e Kosovës. Por, pavarësisht përpjekjeve të Prishtinës zyrtare, kjo nuk ka ndodhur.
Në anën tjetër, pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës duket një perspektivë e largët. Edhe pse dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy shteteve, zhvilluar në Bruksel, ka sjellë nënshkrimin e disa marrëveshjeve, implementimi konkret i tyre ka mbetur prapa.
Një përplasje me Bashkimin Evropian u shënua kur kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli nënshkroi duke e kthyer në ligj, një vendim të ligjvënësve për të miratuar Statutin e Trepçës për të rigjallëruar një aset industrial jetik për ekonominë e Kosovës. Gjatë kohës së lulëzimit të saj nën ish-Jugosllavi, miniera e Trepçës dhe kompleksi për shkrirjen e mineraleve përllogaritej të jepte dy të tretat e prodhimit kombëtar të Kosovës dhe punësonte 20 mijë punonjës. Serbia e kundërshtoi fuqishëm këtë lëvizje, ndërkohë që Bashkimi Evropian kërkon që pronësia e kompleksit të Trepçës të bëhet pjesë e një marrëveshjeje detyruese me Serbinë, në kuadrin e negociatave në Bruksel, një pikëpamje që shkaktoi një valë të madhe pakënaqësie kundër BE-së në Kosovë.
Ndërkohë, Rusia kontribuon aktivisht për të rritur tensionet në Ballkan, për të çimentuar ndikimin e saj në këtë rajon. Më herët gjatë vitit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e përshkroi Kosovën si një “territor të rrezikshëm dhe të pakontrolluar në qendër të Evropës”. Ndërsa këtë muaj, përfaqësuesi i Rusisë në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) e përshkroi Kosovën si një “entitet kuazi-shtetëror” (Shënim redaksional: entitet politik që nuk përfaqëson një shtet të institucionalizuar apo sovran) apo thjesht “një dështim”.
“Ideologjitë transatlantike të ekstremit të djathtë gërshetohen shpesh me historinë e Kosovës dhe telashet e saj. Ato promovojnë një mitologji të rrezikshme, që i përshtatet teorisë së ‘zëvendësimit të madh’, që pretendon se evropianët e bardhë e të krishterë po zëvendësohen nga ‘myslimanët’…”.
Nuk është aspak rastësi të shohim ideologjitë transatlantike të ekstremit të djathtë, që gërshetohen shpesh me historinë e Kosovës dhe telashet e saj. Ato promovojnë një mitologji të rrezikshme, që i përshtatet teorisë së ‘zëvendësimit të madh”, që pretendon se evropianët e bardhë e të krishterë po zëvendësohen nga “myslimanët”, të njëjtën teori që kanë projektuar edhe gjatë tensioneve etnike në Ballkan.
Natyra tinëzare e këtij diskutimi duhet medoemos të sfidohet, nëse do të duam të stabilizojmë Ballkanin dhe të mbrojmë projektin evropian të tij.
Gjatë kohës që ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, faktori kryesor i destabilizimit në Kosovë mbi të gjithë të tjerët ishte margjinalizimi i qytetarëve kosovarë, pabarazia e shfrenuar dhe dështimi për të plotësuar nevojat minimale të qytetarëve të thjeshtë. Margjinalizimi i Kosovës sot nga Bashkimi Evropian është baza e sfidave me të cilat përballemi ne, që nga nacionalizmat e theksuar deri tek influenca ruse, që po ndikojnë negativisht në progresin e brendshëm të Kosovës, qëndrueshmërinë dhe kohezionin e saj.
Për këtë arsye, sapo të zgjidhem në parlament, plani im është të garantoj dëgjimin e zërave të të margjinalizuarve. Kam objektiv të shqyrtoj të gjitha legjislacionet përkatëse për mbrojtjen e të drejtave të grupeve të të pamundurve, njerëzve me aftësi ndryshe, minoriteteve etnike, nënave të punësuara, shtëpiakeve, grave të papërfaqësuara të fshatrave, sikurse edhe të të papunëve. Do të vazhdoj punën time për pajtimin e grupeve etnike dhe riintegrimin e një numri vërtet të madh të viktimave të konfliktit të dhunshëm në Kosovë, si të mbijetuarat e dhunës seksuale, numri i të cilave shkon në rreth 20 mijë gra. Do të punoj gjithashtu me deputetët e tjerë të parlamentit në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri më kohezive dhe gjithëpërfshirëse për cilindo në Kosovë, qofshin myslimanë apo të krishterë, shqiptarë apo serbë, e të tjera.
Por, qytetarët e Kosovës nuk munden ta bëjnë këtë të vetëm dhe pa mbështetje. Evropa duhet të shtojë mbështetjen e saj për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe delegjitimimin e retorikave që shkojnë kundër vlerave fundamentale për të cilat qëndrojnë fort, si për shembull respekti për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit. Sigurisht, duhet të kundërshtojë ashpër dhe në vazhdimësi diskriminimin mbi baza etnike dhe fetare. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe zhvillimit e begatisë në Ballkan.
Shënim: Besa Ismaili është kandidate për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe politike në vend. Ajo është profesoreshë e Anglishtes në Fakultetin e Studimeve Islamike në Prishtinë, si dhe ish-trajnuese dhe interpretuese e ODIHR-it.
“Rrezik përçarje nëse duan të ulen të gjithë te vendi i shoferit” Kikia heq paralele me protestën
“Propozova të shpallej zonë e mbrojtur”,Bino: Nuk jemi kundër investimeve, teli me gjemba na kujtoi kampet
“Kam bërë gabime” Çipa: Berisha e tha hapur, lideri mban peshën e dështimeve
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 15:55 Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi