Dialogu Kosovë-Serbi: SHBA-të në linjë me Francën e Gjermaninë, injorohet BE-ja

19 Qershor 2020 | 05:49

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për “Marrëveshjen e Paqes” mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë të enjten se këshilltarët politikë për siguri kombëtare të Francës dhe Gjermanisë janë të informuar për planin amerikan në dialog.

Ai u shpreh se ky proces do të ketë dy faza, e para ajo ekonomike që do të nisë në Uashington, ndërsa e dyta, ajo politike që do të vazhdojë në Bashkimin Evropian.

Duke mos përmendur koordinimin me BE-në, por koordinimin me vetëm dy shtete: Gjermaninë dhe Francën, Grenell tha se të dyja këto vende e dinë rolin amerikan në këtë proces.

I pyetur pse i dërguari i BE-së, Miroslav Lajcak nuk e di që SHBA-të dhe BE-ja janë në rrugën e njëjtë, ai u shpreh:

“Kushdo që e thotë këtë, nuk duhet ta dëgjoni, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë jam koordinuar shumë herë me këshilltarin francez për siguri kombëtare, Emmanuel Bonne, dhe me këshilltarin gjerman për siguri kombëtare, Jan Hecker. Ata të dy e dinë se cili është roli i kufizuar i Shteteve të Bashkuara”.

Grenell tregoi fazën e parë të këtij procesi, i cili do të udhëhiqet nga SHBA-të.

“Ne jemi të fokusuar në pjesën ekonomike dhe kjo është pjesa e vetme për të cilën do të flasim në Uashington, ka të bëjë me ekonominë. Francezët e dinë këtë, gjermanët e dinë këtë dhe ata e kanë miratuar këtë, sepse hapi i dytë, i cili do të marrë ca kohë”.

Ndërsa sipas diplomatit amerikan, faza e dytë u takon evropianëve.

“Njëkohësisht, rruga e evropianëve me Kosovën dhe Serbinë drejt integrimit në Evropë është tërësisht e udhëhequr nga Evropa, por kjo nuk mund të bëhet derisa të arrihet normalizimi ekonomik. Kjo është pikëpamja e Shteteve të Bashkuara dhe ky është vizioni i Shteteve të Bashkuara,” – thotë Grenell.

Sipas tij, të dyja këto faza janë të ndërlidhura dhe bashkërenduara. Nuk mund të kalohet në hapin dy, pa e kaluar “me sukses” hapin një.

Grenell ka treguar edhe formacionin e përfaqësimit në Uashington.

“Ne i ftojmë personat që janë të ulur në karriget e presidentit dhe kryeministrit… Në këtë pikë, nuk ka plan që ai (Donald Trump) të marrë pjesë në këtë takim. Do të jenë Robert O’Brien dhe Rick Grenell”.

Diplomati amerikan ka folur edhe për akuzat që ish shefi i Qeverisë, Albin Kurti i ka bërë në lidhje me rrëzimin e qeverisë, që sipas tij, Richard Grenell ka pasur direkt gisht në të.

“Ne ia bëmë të qartë në mënyrë të përsosur Albin Kurtit se kjo është politika e Shteteve të Bashkuara. Ai do të mund të shkonte përpara pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte zgjedhja e tij. Ne nuk kërkuam asgjë tjetër, përpos që thamë se nëse ju e dëshironi përkrahjen tonë, atëherë nuk mund të keni taksë 100 për qind dhe reciprocitet.”

Në fund ai tha se Kurti vendosi që nuk donte të punonte me Amerikën.

“Albin Kurti kishte shumë mundësi të punonte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ai vendosi që nuk e dëshiron këtë, sepse ai e kishte një politikë që ishte në kundërshtim me politikën tonë. Ai do të mund të provonte të shkonte përpara dhe të thoshte se politika e tij është më e mirë. Nuk do të zgjatem. Kjo është e tëra që do të them për Kurtin”.

 

Lexoni gjithashtu:

Avdullah Hoti: Në procesin e dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri i vendit

Miroslav Lajçak: Dyshoj se arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi pa praninë e BE-së

Vuçiç flet për “luftë mes elefantëve”: Serbia s’do të përsërisë gabimet me fuqitë e mëdha

Thaçi: Në SHBA nuk do të diskutohet territori i Kosovës

Richard Grenell: Dialog Serbi-Kosovë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026