“Brexit”, ministri britanik: “Evropianët pa status qëndrimi do të deportohen”
Shtetasit nga vendet e Bashkimit Evropian që jetojnë apo punojnë në Britaninë e Madhe pritet të deportohen pas “Brexit”-it, gjithnjë nëse nuk do të kenë aplikuar në kohë për statusin e qëndrimit.
Evropianët që duan të qëndrojnë në Britani kanë kohë të aplikojnë dhe të regjistrohen deri në fund të vitit 2020, për të gëzuar të njëjtat të drejta si deri më tani, nëse ishulli shkëputet pa marrëveshje nga blloku. Por, nëse arrihet një marrëveshje, ata do të kenë kohë deri më 30 qershor të vitit 2021.
“Nëse shtetasit e BE-së nuk do të jenë regjistruar brenda afateve dhe nuk kanë një arsye të mirëfilltë për t’u justifikuar, atëherë do të hyjnë në fuqi rregullat e aplikueshme të emigracionit, – konfirmoi Sekretari britanik për Punët e Brendshme, Brandon Lewis. – Në një rast të tillë, ata do të ekspozoheshin ndaj procedimit për qëndrim të paligjshëm, si dhe do të bëheshin subjekt i zbatimit të ligjit, paraburgimit apo edhe deportimit”. Lewis ka folur të enjten për të përditshmen gjermane “Die Welt”.
Në Mbretërinë e Bashkuar përllogaritet të jetojnë 3.6 milionë qytetarë evropianë, sipas shifrave të Zyrës së Statistikave Kombëtare. Ndërkohë, deri më 31 gusht të këtij viti, më shumë se 1.3 milionë shtetas të vendeve të BE-së kanë aplikuar në skemën për trajtimin e këtij rasti specifik.
Por, komentet e Sekretarit të Brendshëm janë kritikuar nga aktivistë të shoqërisë civile.
“Kjo nuk është mënyra sesi duhen trajtuar njerëzit. Nuk është kurrë vonë për të ndalur çmendurinë e kthimit të qytetarëve që zbatojnë ligjet në rezidentë të paligjshëm”, thanë aktivistë të grupit “The3Million”, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë t’ua japë automatikisht këtë status qytetarëve evropianë që ndodhen aktualisht në Britani, e jo t’iu duhet të aplikojnë.
Idenë e dhënies automatike të këtij statusi për shtetasit e vendeve të BE-së e ka përkrahur edhe Stuart McDonald, zëdhënës për Emigracionin nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP).
“Më në fund një ministër i Brendshëm konfirmon implikimet e tmerrshme të skemës së statusit të qëndrimit. Në mënyrë të paevitueshme, qindra mijëra njerëz do të preken nga kjo problematikë”, shkroi ai në “Twitter”.
Edhe Sekretarja e Brendshme në hije, Diane Abbott, nga Partia Laburiste në opozitë, i konsideroi kërcënimet e ministrit rreth mundësisë së deportimit të qytetarëve evropianë si një shkelje flagrante e garancive dhe sigurive që qeveria iu ka ofruar atyre deri më sot.
“Do të ishte thellësisht shqetësuese për njerëzit që kanë ardhur këtu me mirëbesim dhe që kanë kontribuar kaq shumë për shoqërinë tonë”, tha ajo në një deklaratë.
Përballë kritikave ka reaguar sërish Sekretari i Brendshëm, Lewis, duke u justifikuar se fjalët e tij “janë nxjerrë disi nga konteksti”. “Qytetarët nga vendet e BE-së kanë kohë deri në dhjetor të 2020-s, ndërkohë që ka shumë opsione këshilluese në ndihmë të tyre”, shtoi ai.
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij.