PD akuza për korrupsion qeverisë: Rruga Milot-Fier koncesion fantazmë, tenderi 5 ditë pa u shpallur

6 Korrik 2020 | 12:05

Partia Demokratike akuzoi të hënën qeverinë për korrupsion në lidhje me rrugën Milot-Fier, tenderi për ndërtimin e së cilës duhej të ishte bërë publik prej së paku 5 ditësh.

Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se “projekti mbetet fantazmë” pasi asnjë dokument nuk është bërë publik në Agjencinë e Prokurimeve Publike (APP).

“Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe,” – tha ish-deputeti i PD-së teksa tregoi me video një sinkron të ministres Belinda Balluku e cila zotohej se dokumentet do të publikoheshin në APP që më 1 korrik.

“As ditën kur u shpall me bujë të madhe, as sot, dokumentet e tenderit nuk ekzistojnë, për faktin e vetëm se nuk ka një punë serioze në interes të qytetarëve, por ka një aferë korruptive,” – akuzoi në emër të PD-së, Alibeaj.

Rruga Milot-Fier, 115-kilometra, u prezantua nga qeveria më 1 korrik në një konferencë të gjatë për shtyp ku u tha se ajo do të ndërtohej me koncesion dhe me kosto rreth 1.2 miliardë euro.

Ministrja Balluku tregoi se koncesionari, pas ndërtimit do ta mirëmbajë kundrejt pagesës prej 0.075 euro për kilometër. Qeveria garantoi se krahas rrugës me pagesë do të ketë dhe rrugë dytësore pa pagesë.

Mirëpo demokratët e cilësojnë projektin me kosto të fryrë “6-fish më e lartë se bypass i Fierit” dhe me premisa të dyshimta për aferë korruptive.  

“Për këtë projekt nuk ka dokumente, nuk dihet si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk duhet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim (vajtje-ardhje) kushton 17.4 euro,” – u shpreh Alibeaj.

PD i drejtoi qeverisë pyetje se pse nuk u shpall tenderi, pse nuk u publikuan dokumentet e tij, si u përzgjodh ky projekt, kush e mori vendimin që ai të bëhej me koncesion dhe si u përzgjodh konsulenti i rrugës.

 

Lexoni gjithashtu:

Qeveria hap garën, rruga Milot-Fier me koncesion, do të kushtojë €1.2 miliardë dhe do të jetë me pagesë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026