Solis: ISHP s’ka kapacitete, privati të lejohet të kryejë testime, po i afrohemi Kinës për mungesë transparence
Ish-ministri i shëndetësisë Leonard Solis është i mendimit se kapacitetet testuese të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) nuk janë të mjaftueshme për të përballuar situatën e pandemisë së COVID-19. Ai ngre shqetësimin për rrezikun që vjen nga përhapja e infeksionit në spitale dhe pamundësisë për t’i kontrolluar ato.
Në një intervistë për Euronews Albania, Solis i tha gazetares Esmeralda Mulaj se në fazën e parë të pandemisë qeveria u përqendrua në kufizime dhe kontroll të skajshëm ndërsa tashmë është “e relaksuar dhe e shpartalluar” çka e ka çuar “në rënie të lirë situatën”.
“Në këtë fazë rreziku më i madh është paraqitja e pacientëve në spitale, të cilat janë shumë të rrezikuara dhe jashtë mundësisë për t’u kontrolluar. Po ashtu edhe rrethet kanë vështirësi të jashtëzakonshme për të mundësuar testimin për COVID-19,” – u shpreh Solis, aktualisht drejtor mjekësor i një spitali privat.
Sipas ish-ministrit “testimi i vonuar sjell pasoja të jashtëzakonshme”. Solis këmbënguli se pacientët që paraqiten në spitale duhet që në kartelën e tyre me patjetër të kenë të shënuar rezultatin e analizave për COVID-19.
“Nuk mundesh që të bësh një ndërhyrje kirurgjikale, kryen punë e më pas në fazën e dytë pacientit i fillon COVID-i, ti e rrezikon këtë person, ndaj duhet detyrimisht që pacientët të kenë rezultatet,” – theksoi ish-ministri duke këmbëngulur se spitalet po kthehen në vatra të infeksionit.
“Ministria e Shëndetësisë po kryen një krim duke mos lejuar strukturat private të kruhen me thonjtë e veta të mbrojnë shëndetin e mjekëve të personelit, të mjekëve dhe sidomos të pacientëve të tyre,” – u shpreh i revoltuar Solis, i cili ironizoi se “për mungesë transparence Shqipëria po i afrohet Kinës”.
Solis tha se duhen krijuar shumë qendra për kryerjen e testimeve dhe marrjen e mostrave, të cilat sipas tij mund të analizohen edhe në rrethe. Decentralizimi i kryerjes dhe analizimit të testeve, sipas ish-ministrit mund t’u japë mundësi edhe kompanive që të testojnë dhe të garantojnë punonjësit e tyre që të vazhdojnë aktivitetin.
“Në këtë mënyrë mund edhe të shfryhet ISHP-ja, që shyqyr që e kemi, por është organ profilaktik, që merret me shëndetin publik, nuk mundet dhe nuk e ka për detyrë të mbrojë spitalet të kryejë ekzaminimet e punonjësve të saj si në publik po ashtu dhe të privatëve,” – tha Solis duke këmbëngulur se ka mjaft spitale private që mund të kryejnë teste për COVID-19.
“Padyshim që ka plot qendra private, ju mendoni që spitale që kryejnë ndërhyrje të ndërlikuara në tru, zemër, apo pankreas nuk bëka dot një palo-tampon?!” – pyeti ironikisht Solis, i cili theksoi se centralizimi i testimeve ka vonuar procesin edhe të gjurmimit të rasteve.
Solis ka qenë dy herë ministër i shëndetësisë në periudhën 1997-2001 dhe 2003-2005.
Në intervistën për Euronews Albania ai ka këmbëngulur se gjendja e krijuar e ka bërë të pamundur që qytetarët të marrin shërbim nga Urgjenca Kombëtare, apo edhe të sigurojnë një test për COVID-19.
“Është kalvar i frikshëm të marrësh numrin 127 dhe shpesh herë është e pamundur që ta realizosh (testimin)… sepse është njësoj si ai budallallëku që kolaudimi i makinave duhej bërë vetëm në një ndërmarrje dhe ndërkohë atje bëhej radha dhe dyndja me javë të tëra. Testimet jo vetëm duhen shtuar, por edhe bërë shpejt, sidomos për personelin shëndetësor që është i rrezikuar dhe i rrezikshëm për të tjerët duhet testuar periodikisht, po kështu për çdo pacient që duhet operuar gjendja e tij për infeksionin duhet ditur më përpara,” – u shpreh me revoltë Solis duke theksuar se vendet e tjera kryejnë teste që në aeroporte.
“Unë e paralajmërova qeverinë se kjo është një garë maratonë, por ata duket se u lodhën që në 100 metrat e para dhe tashmë kthen velat nga i fryn era dhe përfiton edhe nga fatkeqësitë,” – shtoi në fund ish-ministri i shëndetësisë duke ripërmbledhur idenë e tij që spitalet dhe laboratorët e certifikuar dhe me standarde duhen lejuar që të japin kontribut për të ndihmuar në situatën, sidomos në rrethe.
Lexoni gjithashtu:
Shqipëria e përball valën e dytë të COVID-19 me numrin më të ulët të testeve në rajon
Shtimi i rasteve, Vasili: Pse ndodh ky paradoks vetëm në Shqipëri?
Bardh Spahia: Qeveria është dorëzuar përballë COVID-19, e luftoi me propagandë
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet