Presidenti Meta apel që të anulohet 30 korriku: PS të heqë dorë nga ndryshimet e njëanshme të kushtetutës

28 Korrik 2020 | 16:37

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Me një shënim të gjatë në “Facebook” e ku rendit disa argumente, kreu i shtetit thotë se këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi 30 korrikut, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Sipas tij, fryma bashkëpunuese dhe dialogu konstruktiv me palëve duhet të vijojë, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Dialogu politik, gjithëpërfshirës dhe i hapur, mes partive politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet, është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave.

 Ruajtja e frymës dhe rezultateve të marrëveshjes së 5 Qershorit ka shumë rëndësi për hapjen e negociatave. Këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa patur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë. Shqipëria nuk duhet ta humbë momentin historik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE nga kokëfortësia për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Kokëfortësia nuk ofron zgjidhje dhe nuk është në interes të Shqipërisë”, shkruan Meta.

Duke kërkuar gjithëpërfshirje dhe frymë kompromisi mes partive për ndryshimet kushtetuese, kreu i vendit, Ilir Meta bën thirrje që seanca parlamentare e 30 korrikut të anulohet. Sipas tij, kjo datë nuk prodhon asnjë interes për Shqipërinë, nëse ndryshimet kushtetuese bëhen në mënyrë të njëanshme.

“I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës. Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë. Data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. 30 Korriku duhet të anulohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore. Në tre dekada pluralizëm, Partia Socialiste, meritën më pozitive ka lidershipin që tregoi për bërjen e vendit me Kushtetutë moderne përmes një procesi gjithëpërfshirës që u finalizua me Referendum Popullor, edhe pse atë kohë kishte mbi 2/3 e Kuvendit”, theksoi Meta.

Presidenti Meta gjithashtu fton opozitën e bashkuar që në emër të integrimit europian, të vijojë këmbënguljen për arritjen e konsensusit. Sipas Metës, hapi i hedhur të premten, ku Partia Demokratike është shprehur pro listave të hapura me kushtin që koalicionet parazgjedhore të mos preken, duhet të jetë rruga përmes së cilës palët të gjejnë pikat e përbashkëta.

“Nuk dëshiroj të ndalem sot në të gjitha arsyet përse Kuvendi i sotëm është jashtë çdo standardi për të prekur Kushtetutën, pasi këto i ka bërë të qarta edhe Komisioni i Venecias, por në kushtet kur po vdesin qytetarë dhe përmasat e pandemisë COVID-19 po bëhen kërcënuese, çdo dhunim i Kushtetutës do ngarkojë me përgjegjësi historike të gjithë ata që do provokojnë rendin kushtetues në vend, në themel të të cilit janë pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. I bëj thirrje Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit europian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual. Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët”, pohon Meta.

Teksa tregon pasojat që ka sjellë mungesa e dialogut politik, Meta bën thirrje që palët të punojnë fort dhe t’i japin mundësi Shqipërisë të afrohet me Bashkimin Europian.

“Historia ka treguar se aktet e njëanshme dhe të nxituara, kokëfortësia, interesi momental politik, mungesa e kulturës së konsensusit dhe dialogut mes palëve, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë të gjatë. Ky gabim nuk duhet të përsëritet. Për këtë arsye, ripërsëris thirrjen që të gjitha palët të vijojnë punën në mirëbesim në Këshillin Politik, pa shtrëngim kohor, me objektivin e vetëm të gjetjes së konsensusit mes tyre. Është tërësisht e mundshme që të arrihet një produkt i përbashkët dhe i dakordësuar nga të gjithë. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsensus mes të gjitha partive kryesore politike në vend. Koha për të punuar për Shqipërinë në Europë është tani! Askush nuk duhet ta dëmtojë këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë”, apelon Meta.

Lexoni gjithashtu: 

Rama i qartë me opozitën jashtëparlamentare: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave

PD-ja i përgjigjet Ramës: Pro listave të hapura, heqja e koalicioneve hall i tij dhe i krimit

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, me...
13:47 | 04/06/2026

Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
13:30 | 04/06/2026

“Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë

Ky është mesazhi që kanë shpërndarë në WhatsApp punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, për shkak se nuk përdorin rrjete sociale, kanë zgjedhur këtë...
12:48 | 04/06/2026