Ministrja e Financave Anila Denaj: Kemi aprovuar tri skema për nxitjen e punësimit
Kuvendi i Shqipërisë në seancën e djeshme miratoi me 86 vota pro akti normativ për rishikimin për herë të tretë të buxhetit të shtetit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj tha në Euronews Albania se rishikimi i buxhetit është një domosdoshmëri, pasi duhen parë aftësitë reale të performancës së ekonomisë.
Ajo u shpreh se, sipas përllogaritjeve pritet që në buxhetin e shtetit për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të tërmetit të vitit të shkuar, që të ardhurat të pësojnë rënie me 63 miliardë lekë më pak.
Ky rishikim i buxhetit sipas ministres Denaj vjen edhe për faktin se qeveria ka shtuar zërat e shpenzimeve publike, ku fokus të veçantë ka procesi i rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
“Së pari, është një nevojë, një domosdoshmëri për të përballur dy goditje që ekonomia shqiptare ka marrë. Atë të tërmetit në nëntor dhe situatën e pandemisë, e cila sigurisht nuk e ka të plotë dimensionin e efektit. Ne sot kalkulojmë (përllogarismi) më mirë se në mars se sa do të jenë të ardhurat deri në fund të vitit. Kemi parë dhe rishikuar uljen e të ardhurave me -63 miliardë lekë. Është logjike, sepse pas 6 mujorit të parë, shifrat janë më të mundshme për t’u analizuar dhe projektuar për periudhën tjetër.
Një vendim shumë i rëndësishëm i qeverisë Rama është edhe rritja e shpenzimeve. Në një total prej 31.1 miliardë lekësh, një pjesë e rëndësishme është zëri i shpenzimeve publike, të cilat lidhen me ndërtimin dhe është një obligim ndaj qytetarëve të dëmtuar në të gjitha kategoritë. Ndërkohë, kemi parë të nevojshme që të rrisim shpenzimet edhe në zërat e tjerë buxhetorë, kryesisht ata që lidhen me likuidimet e detyrimeve të prapambetura për arsye të shpronësimeve, për punë në infrastrukturë dhe projektet e tjera.Të dy këto zëra, rritja e shpenzimeve dhe ulja e të ardhurave totale krijon këtë deficit, i cili në vitin që pason parashikohet të ketë trendin ulës”, tha Denaj.
Pandemia krahas pasojave sociale në humbje jetësh ka shkaktuar edhe vështirësi financiare tek qytetarët. Shumë prej tyre humbën punën, pasi bizneset në mungesë të aktivitetit u detyruan të bënin shkurtime në staf.
Ministrja Denaj tha se qeveria ka menduar për këtë kategori duke aprovuar tri skema, në të cilat parashikohet ndihmë konkrete për qytetarët që kanë humbur punën. Ajo i shpjegoi konkretisht kushtet që do marren në konsideratë për t’i dhënë frymë punësimeve të reja në sektorët e vendit.
“Kjo është një lidhje e drejtpërdrejtë edhe me buxhetin, sepse injektimi në ekonomi i fondeve publike kthen në vëmendje edhe punësimin. Të gjithë këto investime do të realizohen përmes bizneseve, dhe ato do të kenë nevojë për forcë punë. Dje kemi aprovuar disa skema për një periudhë afatshkurtër mund të nxisin më tej marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës. Janë tri skema që janë aprovuar dje në nxitje të punësimit. Së pari, skema që adreson kryesisht punësimin sezonal. Jemi në mes të sezonit. Synojmë që të ndihmojmë me dy paga minimale subvencion atë punësim, ku minimumi të jetë katër muaj. Kemi skemën e dytë me 8 muaj minimum marrëdhënia pune, ku subvencionojmë me pagë minimale katër pagesa, me kushtin që te jetë 8 muaj marrëdhënie pune. Kemi dhe grupin tjetër të synuar, që janë punëmarrësit, të cilët duhet të që janë të formalizuar dhe nuk duhet të punojmë jashtë sistemit, ku vetë prej tyre duhet të dalë kërkesa për një marrëdhënia formale, pasi kontributet edhe të punëdhënësit dhe punëmarrësit, qeveria shqiptare përmes buxheti do t’i subvencionojë për një periudhë 12-mujore”, tha Denaj.
Sipas saj, bazuar në performancën reale të ekonomisë, Shqipëria pritet të përballet me recesion. Ministrja Denaj theksoi faktin se pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri të pësojë një ulje me 4.3 për qind.
“Turizmi është një rëndësi e madhe për ekonominë. Ne kemi objektiv që ky sektor të na kontribuojë në PBB në vitet në vijim. Ne në prezantimin e buxhetit kemi parashikuar recesion. Një ulje të PBB me terma realë -4.3 për qind. Turizmi në PBB përfaqëson në masën 13 %. Ai është i lidhur edhe me sektorë të tjerë”, shtoi ajo.
Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta
I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit
“Braçellari, emër shumë i njohur në Korçë”, Artan Hoxha: Dhjetëra operacione për ta arrestuar
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 15:55 Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi