Zelensky: Bota të veprojë për të ndalur kërcënimin bërthamor rus

7 Tetor 2022 | 22:21

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se zyrtarët rusë kanë nisur “të përgatisin shoqërinë e tyre” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por shtoi se ai nuk beson se Rusia është e gatshme t’i përdorë ato.

Në një intervistë për transmetuesin publik britanik, BBC, Zelensky tha se nuk ka bërë thirrje për sulme në Rusi, duke pretenduar se deklaratat e mëhershme të tij, janë përkthyer keq.

“Duhet të përdorni goditje parandaluese”, tha ai duke iu referuar sanksioneve, “e jo sulmeve”.

Zelensky tha se bota duhet ndërmarrë veprime tani, pasi kërcënimet ruse paraqesin “rrezik për gjithë planetin”.

Në javët e fundit, ushtria ukrainase ka rimarrë kontrollin e territoreve të mëdha gjatë një kundërofensive, që ka detyruar trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që i kanë mbajtur. Pas humbjeve, Rusia mbajti referendume të rreme në katër rajone ruse, dhe më pas presidenti rus, Vladimir Putin, aneksoi paligjshëm ato.

Shpallja e aneksimit nga Rusia të rajoneve ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, gjerësisht është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe është parë si një përshkallëzim i madh i luftës. Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë paralajmëruar se do të përdorin të “gjitha mjetet ushtarake” për të mbrojtur këto territore, duke rritur frikën për një përdorim të mundshëm të armëve bërthamore.

Megjithatë, zyrtarët perëndimorë kanë thënë se nuk ka të dhëna se Rusia është e gatshme të përdorë këto lloj armësh.

“Ata kanë nisur ta përgatisin shoqërinë, kjo është e rrezikshme”, tha Zelensky.

“Ata nuk janë të gatshëm, t’i përdorin ato. Por, ata kanë filluar të flasin për to. Ata nuk e dinë nëse duhet t’i përdorin apo jo. Por, unë mendoj se është e rrezikshme vetëm të flasësh për to”, shtoi Zelensky.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, teksa shtetet perëndimore janë përgjigjur duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe duke i ofruar ndihmë ushtarake Kievit.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026