Testi i Covid-19 “djeg” klubet kosovare, FFK-ja e quan fatkeqësi, institucionet heshtin
Klubet kosovare të futbollit janë vënë në vështirësi gjatë udhëtimeve të fundit për të zhvilluar ndeshjet në garat evropiane, në kuadër të kualifikuesve për Champions League dhe Europa League.
Shkak për këtë janë infektimet me COVID-19 për një numër të konsiderueshëm të lojtarëve, të cilët në testet e kryera në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) në Kosovë kanë rezultuar negativë, ndërsa në testin e radhës jashtë vendit, në më pak se 48 orë, kanë rezultuar pozitivë.
Kampionia e Kosovës FC Drita humbi në tavolinë ndaj Linfield FC, me rezultat zyrtar 3-0, për shkak se dy lojtarë të saj u rezultuan pozitivë në testet e kryera në Zvicër, para takimit, duke pamundësuar kështu zhvillimin e ndeshjes.
Me situatë më të rëndë u përball FC Prishtina, e cila përkundër dy përpjekjeve nuk arriti ta zhvillojë ndeshjen ndaj Lincoln Red. Ndonëse e gjithë skuadra doli negative në testet për COVID-19, të kryera në Kosovë, në Gjibraltar tetë futbollistë rezultuan pozitivë. Prishtina u përpoq të luajë edhe me skuadrën e dytë, duke ndërruar të gjithë lojtarët. Sërish të gjithë dolën negativë në Kosovë, dhe sërish tetë të tjerë rezultuan me COVID-19 në Gjibraltar.
Teksa e cilëson si skandal shtetëror dhe kërkon përgjegjësi për të, gazetari dhe komentatori i sportit Arlind Sadiku nuk fajëson klubet, por institucionet shtetërore, të cilat thotë se po heshtin.
“Pse po them është skandal shtetëror? Sepse kanë heshtur të gjithë. Nuk ka reaguar Ministria e Sportit, nuk ka reaguar Federata e Futbollit të Kosovës, nuk reaguar Ministria e Shëndetësisë. Këtu kam qenë shumë i frustruar unë, sepse ka më tepër se një muaj që kam raportuar për raste të futbollistëve që janë të prekur me koronavirus, ndërsa nuk është marrë asnjë masë nga Federata e Futbollit, nga ministria, dhe tash po e shohim rezultatin”, tha ai
Rasti i Prishtinës, sipas Sadikut, e vë pikëpyetje edhe rezultatet e përditshme të testeve të kryera nga qytetarët në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Nëse merret rasti i Prishtinës, nga 42 lojtarë që kanë qenë, në dy tentime për t’u zhvilluar ndeshja kundër Lincoln, kanë dalë 16 lojtarë pozitivë. 42 lojtarë kanë dalë negativë në IKSHP, 16 kanë dalë pozitivë (jashtë Kosovës). Ky është një numër shumë i madh. Ndryshe është nëse do të ishin një apo dy lojtarë, por prej 42 lojtarëve, 16 pozitivë, ky është skandal për mendimin tim”, shtoi Sadiku.
Ndërkohë, në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të detajuara në formë të shkuar. Megjithatë, sekretari i FFK-së Eroll Salihu, në një bisedë telefonike për Euroneës Albania, e cilësoi fatkeqësi atë që u ka ndodhur klubeve kosovare, dhe u ankua se testet e kryera në Kosovë nuk njihen në vende të tjera.
Salihu nuk sheh përgjegjësi te Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duke thënë se virusi ka mundur të zhvillohet në periudhën mes dy testimeve.
“Ende askush nuk po mund ta definojë këtë virus. Brenda 48 orësh mund të ndryshojë gjendja për shkak të periudhës së inkubimit. Por, nuk mund të fajësojmë institucionet tona lidhur me rezultatin e testeve. Ndoshta në Zvicër (rasti i FC Drita) ka mundur të tregohet më shumë mirëkuptim, por rregullat janë rregulla”, shtoi ai.
Megjithatë, Salihu njoftoi se para ndeshjes së radhës, Gjilani do t’i dërgojë mostrat për testim në Shqipëri.
Prej rreth një jave, Euronews Albania pyeti Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës mbi dallimet e mëdha të rezultateve mes testimeve në Kosovë dhe atyre jashtë vendit. Gjithashtu, janë pyetur vetë klubet e futbollit nëse kanë dyshime mbi rezultatet, si dhe Prokuroria e nëse ka nisur ndonjë hetim mbi këtë rast.
Asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka kthyer përgjigje.
Euronews Albania pyeti edhe Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti mbi dallimet drastike në rezultatet e testeve COVID brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëse rezultatet në testimet e futbollit vënë në pikëpyetje edhe pjesën tjetër të testeve që kryhen në popullatën e gjerë.
Kryeministri tha se janë pikërisht institucionet shëndetësore që duhet të përgjigjen për këto raste.
“Nuk besoj që mund të jap një përgjigje konkrete në këtë rast. Ndoshta Instituti dhe Ministria e Shëndetësisë mund t’ju informojnë më detajisht, se pse ka ndodhur kjo. Unë nuk e marrë si atë që po e komentoni ju, që nënkupton kjo dështim komplet të sistemit të testimit në Kosovë. Unë besoj që ekspertët e fushës duhet të japin përgjigje konkrete për këtë çështje”, u përgjigj ai.
Ky artikull do të përditësohet në rast të një përgjigjeje nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.
Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione
Sherr në fushë pas golit të Izraelit, Glouk provokon! Tifozët thërrasin “Palestinë”
Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime
- 13:47 Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë
- 13:36 Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
- 13:34 Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës
- 13:30 Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij
- 13:28 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina
- 13:22 Presidenti finlandez propozon një BE me 40 anëtarë, përfshirë Kanadanë