Komisioni i Prokurimit Publik rrëzon ankesën për transparencë rreth tenderit të projektimit të Teatrit Kombëtar
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) rrëzoi ankesën e një bashkimi kompanish, të cilat kishin kërkuar që Bashkia Tiranë të zbardhte procedurën me të cilën vlerësoi ofertat e tenderit për studim-projektimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Bashkia ndërkohë nuk ka bërë ende publik fituesin e këtij tenderi.
“Gjeokonsult & Co” dhe “Archispace” morën pjesë bashkë në tenderin prej rreth 500 mijë eurosh që Bashkia Tiranë hapi më 14 korrik për projektimin e teatrit. Një muaj më vonë bashkia zhvilloi fazën e dytë të procedurës së tenderimit, ku thuhet se njoftoi edhe kompanitë që morën pjesë, por ato nuk janë bërë ende publike.
Dy kompanitë përkatëse u ankuan për skualifikimin e ofertës së tyre. Ata iu drejtuan fillimisht Bashkisë, por kjo nuk e pranoi ankesën dhe më pas në muajin shtator iu drejtuan KPP-së me një kërkesë edhe për zbardhjen e procedurës së ndjekur dhe vlerësimit të ofertave të tjera që u paraqitën.
Kompanitë protokolluan ankesën pranë komisionit më 14 shtator, dhe katër ditë më vonë Komisioni është shprehur se ankesa ka qenë jashtë afateve të parashikuara.
Në një reagim në Facebook, pedagogu Ervin Goci, njëherësh aktivist i lëvizjes për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, vuri në dukje faktin se Komisioni u shpreh për çështjen brenda 4 ditëve ndërkohë që “ka injoruar 31 çështje të tjera që ishin më përpara me rend kalendarik”.
Me këtë vendim Bashkia Tiranë lejohet të vijojë procedurat e lidhjes së kontratës me kompaninë fituese, mirëpo ajo ende nuk ka bërë publike se kush ishte oferta që e fitoi garën. Kjo nuk është hera e parë që Bashkia nuk shërben transparencë. Më parë ajo nuk dha informacione rreth diskutimeve me privatët për ndërtimin e teatrit dhe shërbeu detaje vetëm në fund kur u vendos të mos kishte marrëveshje.
Çështja e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar ka trazuar jo pak opinionin publik pasi për dy vite ajo përfshiu politikisht qeverinë dhe Bashkinë Tiranë kundër komunitetit të artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve që u angazhuan për mbrojtjen e ndërtesës së projektuar në vitet ’30 nga arkitektë italianë.
Qeveria nxiti fillimisht me një ligj special tjetërsimin e pronës dhe dhënien me partneritet-publik-privat për ndërtimin e saj. Procesi në fjalë hasi në kundërshti nga opozita dhe Presidenti. Bashkia Tiranë angazhohej të ishte koordinatore në konsultimet me artistët dhe qytetarët. Ajo zhvilloi disa takime ndërkohë që të tjerat u bojkotuan pasi artistët kundërshtuan që në fillim idenë dhe projektin e paracaktuar dhe bërë publik nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj të arkitektit danez Bjarke Ingels.
Dy vite më vonë, Bashkia Tiranë deklaroi se ishte tërhequr nga PPP-ja pasi privati nuk kishte marrë përsipër koston e plotë të ndërtimit dhe për këtë ishte vendosur që teatri të ndërtohej me fonde publike.
Veliaj u zotua se për 100-vjetorin e Tiranës qeveria do ta mbështeste projektin për ndërtimin e Teatrit të Ri dhe në fakt kjo e fundit i kaloi në pronësi truallin dhe ndërtesën dhe në më pak se dy javë bashkia vendosi shembjen e tij me një procedurë të miratuar me e-mail.
Prishja e teatrit ndodhi në të gdhirë të 17 majit ndërsa policia ndërhyri dhunshëm duke nxjerrë protestuesit dhe aktivistët që e kishin rivënë në funksion ndërtesën. Aktivistët dhe artistët nisën një fushatë për mbledhjen e firmave duke kërkuar rindërtimin me të njëjtën arkitekturë të ndërtesës, projekt ky i hedhur poshtë nga qëndrimet publike të kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë Veliaj.
Tashmë rreth pesë muaj më vonë, Bashkisë Tiranë i hapet rrugë për të vazhduar më tej me procedurat e ndërtimit të teatrit edhe pse ajo vazhdon të mos shfaqë transparencë për to.
Mbetet e paqartë se si u vendos që projekti të ishte ai i Bjarke Ingels dhe se për çfarë u hap tenderi i ri, ku publikisht Veliaj dhe Rama janë shprehur se projekti danez do të jetë ai që do të zbatohet.
Lexoni gjithashtu:
Dhuna tek Teatri, eksperti i sigurisë Pëllumb Nako: Policia u përdor në mënyrë të pabesë
Mazniku: Të hapur për ta diskutuar projektin, por jo rindërtimin e Teatrit Kombëtar
16 mijë persona firmosin peticionin online “pro” rindërtimit të Teatrit Kombëtar
Rama përdor fjalët e artistëve për të mbrojtur shembjen e Teatrit Kombëtar
‘Dënoni ngjarjet e Teatrit’, 20 eurodeputetë letër drejtuesve më të lartë të KE-së
Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
- 11:38 Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:36 Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush