Meta dhe Rama replika me fyerje pas akuzave për lidhje me krimin
Presidenti Ilir Meta i bëri të premten kërkesë publike kryeministrit Edi Rama që të faktojë gjatë punimeve të sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat e bëra ndaj tij për “kontakte me kriminelë”. Ky u përgjigj se kjo ishte një nga “shkallimet e tij të përditshme”.
Përmes një postimi në Facebook, përmbajtja e të cilit kishte gjuhë fyese dhe etiketime të shumta ndaj kryeministrit, Meta kërkoi publikisht që Rama ta zbardhë akuzën që i drejtoi në parlament pak ditë më parë dhe nëse ajo do të jetë e vërtetë tha se do të japë dorëheqjen.
“I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen,” – u shpreh Meta.
Nëse kryeministri Rama nuk e bën diçka të tillë gjatë Asamblesë, e cila zhvillohet pasditen e sotme, Presidenti Meta është shprehur se “do të merret me të çdo ditë”.
“Do t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzëmë së bashku edhe nga Partia Socialiste,” – u shpreh Meta duke iu drejtuar Asamblesë së PS-së dhe anëtarësisë së saj.
Presidenti është shprehur se çdo ditë do ta ftojë kryeministrin për debat televiziv dhe pret prej tij reflektim.
Presidenti e shoqëroi postimin me një foto nga shfaqja e regjisorit Edmond Budina e titulluar “Profeti i kokoshkave”, shfaqje e cila i kushtohej udhëheqjeve autoritare dhe drejtuesve delirantë e krijuar nga Budina pas vendimit të kryeministrit Rama për të shembur Teatrin Kombëtar.
Kryeministri gjatë seancës parlamentare të së hënës, ku u miratuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor – sipas propozimeve të shumicës socialiste, – akuzoi rëndë Presidentin për lidhje me persona të inkriminuar.
“Do ta rrëzojmë një shpikje [formulën e koalicioneve], që është karteli i partive me koalicione, ku votat i merr njëri dhe ia kalon tjetri pa pikë turpi dhe kushto që hyn në listë mund të zgjidhet, por duhet të marrë votat. Patjetër që PS nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as PD, as një furgon i shpikur KÇK [Kap Çfarë të Kapësh] dhe […] SHPK [Shoqëri me Prodhim të Kufizuar] për të lëshuar deri në viktimat e OFL [Operacioni Forca e Ligjit] që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit nuk ka. T’i harrojë Ilir Meta, që del e flet në emër të Kushtetutës me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, po nuk i shkon,” – qe shprehur Rama në parlament më 5 tetor.
Pas komentit në Facebook të Presidentit, Rama u përgjigj në Twitter duke i qëndruar gjuhës fyese dhe të fryrë politikisht të përdorur më herët edhe nga Presidenti.
“Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria, që të bëri Kryeministër, Kryeparlamentar, President dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët por edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!” – shkroi Rama në Twitter duke ironizuar aktivitetin e shtuar të Metës me nderimet ndaj të rënëve në luftën anti-fashiste dhe nacional-çlirimtare.
Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri kryeministër, kryeparlamentar, president dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!
— Edi Rama (@ediramaal) October 9, 2020
Disa minuta më pas Meta replikoi sërish duke thënë se i kishte konfirmuar prezencën në emisionin televiziv “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu dhe e priste përballë kryeministrin Rama. “Transparenca e vetmja rrugë! Dil përballu ose largohu” – shkroi Meta.
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta