Opozita dhe Bashkia Tiranë replika për mënyrën si po veprohet me rindërtimin e shkollës ”Sami Frashëri”

3 Nëntor 2020 | 12:42

Opozita vijoi të martën replikat me Bashkinë Tiranë rreth projektit të rindërtimit të shkollës së mesme Sami Frashëri në Tiranë.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, denoncoi nga sheshi i ndërtimit atë që e quajti si “fasadë” pasi 10 ditë pas përurimit të punimeve atje “nuk ka asnjë lëvizje”.

Sipas demokratëve shkolla u prish më 24 prill pa pasur një projekt të miratuar, ndërkohë që në mënyrë të pashpjegueshme projekti për shkollën e re është më i shtrenjtë se ai i shkollave të tjera të cilat janë parashikuar për t’u rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Pse ‘Sami Frashëri’ kushton 4.5 milion euro, ndërkohë që shkollat e tjera të ngjashme, të cilat ndërtohen me fondet e BE-së kushtojnë 700 mijë euro? Kush janë kompanitë që qëndrojnë pas këtij ndërtimi,” – i drejtoi pyetjet dyshuese Bashkisë dhe qeverisë ish-deputetja Tabaku.

Demokratët thonë se qeveria gënjeu kur përmes ministrit Arben Ahmetaj deklaroi se shkolla në fjalë do të ndërtohet nga fonde të Bashkimit Evropian, ndërkohë që “BE-ja konfirmon të kundërtën”.

Për projektin e rindërtimit të Shkollës Sami Frashëri, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ngriti akuza për tjetërsime të pronës dhe për projekt pa tenderim.

Vetë kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj reagoi më vonë duke postuar në Twitter një video, ku shfaqeshin punonjës duke sistemuar hekura të kollonatave në një shesh punimi që Veliaj e nënkuptoi të ishte ai i shkollës “Sami Frashëri”.

“Nuk është problem që u çmendën, por u çmendën të dyja njëherësh. Cytet Mona me Jorin, kush do thotë marrëzinë më të madhe, budallallëkun më epik, histerinë më ekstreme. Boll se latë nam, a keni cipë, a skuqeni para fëmijëve, a keni turp, a keni familje?” – shoqëroi me këtë koment videon në Twitter Veliaj.

Më herët kryebashkiaku kishte publikuar disa dokumente të pronësisë, të cilat ai theksoi se ishin të shkollës duke përgënjeshtruar pretendimet e kryetares së LSI-së, Kryemadhi, e cila gjithashtu shfaqi në konferencën e saj për shtyp dokumente.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026