Ndahet nga jeta aktori i humorit Koço Devole

8 Nëntor 2020 | 07:56

Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, së cilës iu bashkangjit edhe infektimi nga koronavirusi, aktori i mirënjohur i humorit shqiptar Koço Devole.

Lajmi është konfirmuar nga bashkëpunëtorë të aktorit 75-vjeçar, i cili lë pas një trashëgimi të vyer në kinematografinë dhe median shqiptare.

I njohur për interpretimet në Estradën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë krah aktorëve të tjerë si Roland Trebicka, Zef Deda apo Sejfulla Myftari, Devole spikati gjithashtu edhe si karikaturist, skenarist e regjisor.

Devole u lind më 28 nëntor 1945 në Kuçovë. Ai u rrit në Tiranë pasi familja e tij u zhvendos në kryeqytet pas përfundimit të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Studioi për inxhinieri mekanike ndërsa përpjekjet e tij për t’u futur në Akademinë e Arteve nuk u shpërblyen. Sidoqoftë kjo nuk e ndaloi atë të kishte një karrierë të suksesshme në art.

Fillimisht u angazhua në estradën e ushtrisë, më pas në revistën satirike Hosteni si humor-shkrues dhe karikaturist krah emrash të njohur si Bujar Kapexhiu, Spiro Çomora, Dionis Bubani, apo Bardhyl Fico.

Në fund të viteve 70-të nisi punën në Radiotelevizionin publik Shqiptar (RTSH) ku kontribuoi si skenarist, regjisor apo dhe aktor në programacionet e mbrëmjeve të fundvitit dhe në disa telekomedi.

Aktiviteti më i rëndësishëm i karrierës së tij ishte në mes të viteve 90-të ku në disa bashkëpunime me Pali Kuken, Agim Bajkon, Agron Llakën, Mehdi Malkajn dhe Vasillaq Vangjelin, sollën në ekranet shqiptare komedi si “Mos shko o trim”, “Një  ditë  i çmendur”, apo “Gjuetia e fundit” dhe “Të gjallë apo të vdekur”, vepra të cilat mbeten ndër të vetmet që kanë ironizuar periudhën e regjimit komunist dhe diktatorit Enver Hoxha.

Prej fillimit të viteve 2000 ai nisi bashkëpunimin me Top-Channel ku kontribuoi në emisionin “Fiks-Fare” dhe disa herë në programin humoristik “Portokalli”.

Mesazhe ngushëllimi nga politika

Udhëheqësit politikë përcollën mesazhe ngushëllimi për aktorin e dashur shqiptar.

Presidenti Ilir Meta e konsideroi humbje të një prej “kolosëve të humorit dhe artit shqiptar” ndarjen nga jeta të Devoles. Ai u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të tij duke theksuar se atë “do ta kujtojmë gjithmonë duke qeshur”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me një mesazh përcjellë në web-faqen zyrtare të parlamentit e cilësoi Devolen “artist universal”.

“Në të gjitha gjinitë e artit që krijoi, ai i mbeti besnik  humorit. Nëpërmjet humorit të tij origjinal, fshikulloi të keqen dhe negativitetet e shoqërisë. Koço do të mbahet mend gjatë për kontributet e tij për të lartësuar të mirën mbi të keqen, të bukurën mbi të shëmtuarën, gëzimin mbi mërzinë,” – shkroi në mesazhin e tij të ngushëllimit Ruçi.

Kryeministri Edi Rama i shprehut ngushëllimet për humbjen e Devoles përmes një postimi të shkurtër në Facebook.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e përmendi në mesazhin e tij ngushëllues “humbjen tragjike të jetës së Devoles nga COVID-19”.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, e konsideroi Devolen “emblemë të humorit shqiptar”. Në mesazhin e tij ngushëllues ai e cilësoi “ndarje të hidhur” dhe “të beftë nga jeta” të aktorit 75-vjeçar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
08:50 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026

Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku sipas informacioneve paraprake një efektiv policie ka humbur jetën dhe...
08:13 | 04/06/2026