Shqipëria e vitit 2019: Krizë e brendshme, shtyrje e negociatave dhe premtime për drejtësi të reformuar

31 Dhjetor 2019 | 14:02

Viti që po lëmë pas ishte i mbushur me ngjarje dhe përjetime të shumta, që në një mënyrë ose në një tjetër shënjuan jetën e gjithsecilit.

Ngërçi politik, protesta, zgjedhje, si dhe tërmeti që preku jetën e çdo shqiptari mëngjesin e 26 nëntorit ishin disa nga ngjarjet kryesore që përshkuan rrugëtimin e përbashkët të vitit 2019 për shqiptarët.

Opozita bojkoton kuvendin, djeg mandatet

Në shkurt të vitit 2019, pas disa protestave që u mbyllën me përleshje me policinë, opozita vendosi të djegë mandatet e fituara vetëm një vit më parë, duke e futur vendin në një krizë politike të paprecedentë, e cila vijon ende. Opozita e shoqëroi vendimin e saj me protesta të përjavshme, që në disa raste përfunduan në dhunë me djegien e mandateve të deputetëve të PD dhe LSI.

Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD

Në muajt maj dhe qershor, gazeta gjermane BILD publikoi disa audiopërgjime që kishin në qendër zgjedhjet lokale të vitit 2016. Në disa fragmente të publikuara edhe nga mediat në Shqipëri, dëgjohen zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, ministra dhe ish-ministra teksa flasin me persona të tjerë lidhur me çështje votash. Më herët, Partia Demokratike kishte akuzuar Partinë Socialiste për blerje votash në Dibër gjatë zgjedhjeve të 2016. PS hodhi poshtë akuzat duke i quajtur ato “thashetheme”, ndërsa dosja e përgjimeve është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Dibrës.

Lufta Presidencë-Qeveri

Marrëdhëniet mes kreut të shtetit, Ilir Meta dhe kreut të qeverisë, Edi Rama arritën kulmin e tensionimit kur presidenti vendosi të zhdekretonte datën 30 qershor si datë të zgjedhjeve lokale, pasi vetë ky i fundit e kishte dekretuar në cilësinë e Presidentit të Republikës.

Mazhoranca, e cilësoi këtë një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe nisi procedura për shkarkimin e Presidentit, ndërsa e dërgoi çështjen për opinion në Komisionin e Venecias. Ky i fundit shprehu konkluzionin e tij se presidenti kishte vepruar jashtë kompetencave të tij, por shkeljet nuk ishin të një natyre që do të justifikonin shkarkimin e tij. Përplasja qeveri-presidencë vijoi të ishte prezente me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Zgjedhjet e para lokale pa praninë e opozitës në tri dekada

Më 30 qershor Shqipëria mbajti zgjedhjet vendore, në të cilat opozita vendosi të mos përfaqësohet me kandidatë në asnjë bashki, duke i bojkotuar ato. Partia Socialiste në qeveri vendosi të çojë përpara zgjedhjet dhe duke u bërë e vetmja parti madhore që mori pjesë në to. Parti të tjera më të vogla si dhe kandidatë të pavarur morën pjesë në zgjedhje por rezultatet finale nxorën fitimtare PS në 60 bashki dhe partinë MEGA në bashkinë Finiq.

Negociatat me BE shtyhen pa afat

Më 18 tetor, Këshilli i Evropës vendosi t’i thoshte “jo” hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ishte zëri kryesor kundër hapjes së negociatave dhe zgjerimit të mëtejshëm të BE, duke e lidhur këtë kryesisht me çështje të funksionimit të brendshëm të unionit dhe nevojën për reformim. Viti 2020 pritet me optimizëm për sa i përket rezultateve që do të vijnë nga samitet e BE, ku shumë krerë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian janë shprehur pozitivë për vullnetin e hapjes së negociatave. Kryeministrit shqiptar Edi Rama e komentoi moshapjen e negociatave si pasojë e situatës së brendshme të BE, ndërsa kryeministri maqedonas, Zoran Zaev paraqiti dorëheqjen, e cila do të marrë efekt në janar 2020.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit

Mëngjesi i 26 nëntorit 2019 do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët. Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6,4 ballë i shkallës rihter që goditi vendin në orën 03: 54 minuta, solli pasoja të dhimbshme për vendin. 51 persona humbën jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura në Durrës, Thumanë e Tiranë, ndërsa qindra vetë u plagosën e mbi 14 mijë persona mbetën të pastrehë. Kosova, shumë shtete të rajonit dhe Evropës shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në përballimin e situatës dhe pasojave. Qeveria shqiptare shpalli gjendjen e emergjencës në zonat e prekura, ndërsa buxheti i vitit 2020 parashikon 20 miliardë lekë që do të përdoren si fond i rindërtimit. Janari i vitit që vjen do të nxjerrë gjithashtu faturën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, kohë kur do të organizohet edhe një konferencë donatorësh që do të mbledhë kontribute nga shtetet e tjera për rindërtimin e vendit.

Shengeni ballkanik

Iniciativa për krijimin e Shengenit Ballkanik u konkretizua në muajin tetor të këtij viti, pas refuzimit të Bashkimit Evropian mbi hapjen e procesit të negociatave për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Nisma për krijimin e një zonë të përbashkët ekonomike në rajon, e propozuar fillimisht në vitin 2017, synon të lehtësojë kalimin e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë shprehur vullnetin e tyre për t’u përfshirë në këtë nismë, ndërsa Kosova i bojkotoi takimeve gjatë vitit 2019 për shkak të rolit të Serbisë në nismë. Përgjatë vitit 2020 liderët e vendeve pjesëmarrëse kanë premtuar të konkretizojnë marrëveshjen, e cila do të hyjë plotësisht në fuqi brenda vitit 2021.

Reforma në drejtësi

Reforma në drejtësi ishte pa diskutim kryefjala e vitit 2019. Dhjetëra gjyqtarë e prokurorë dolën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku kaluan në ‘sitë’ pasurinë dhe aftësitë profesionale. Shumë prej tyre nuk u rikonfirmuan në detyrë duke u përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.

Një moment i rëndësishëm ishte krijimi i SPAK. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK) mori formën përfundimtare pasi në krye të saj u zgjodh Arben Kraja më 19 dhjetor. Çelja e dyerve të SPAK shënoi gjithashtu mbarimin e punës për Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, tetë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) u betuan para Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe 2 të tjerë u shtuan me kërkesë të kreut të këtij institucioni. SPAK do të hetojë korrupsion dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Teatri Kombëtar

Vendimi i qeverisë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar dhe për të ndërtuar aty një teatër të ri krijoi Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, ku bëjnë pjesë aktorë, regjisorë, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë, të cilët protestojnë në mënyrë të pandërprerë për të mos lejuar shembjen e teatrit. Aktivistët e kanë cilësuar projektin e qeverisë si korruptiv dhe që vjedh pronën publike, ndërsa qeveria e ka mbrojtur atë si zhvillues për kulturën, pasi ofron një teatër të ri duke lënë pas teatrin e vjetër, që sipas qeverisë ka vetëm vlerë nostalgjike dhe jo kulturore. Në fund të dhjetorit, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim padinë e ngritur nga presidenti Meta dhe pritet që viti 2020 të përkufizojë dhe fatin e Teatrit Kombëtar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:45 | 04/06/2026

LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:27 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër mbeti...
09:53 | 04/06/2026