Netanyahu: Izraeli do ketë përgjegjësi për sigurinë në Gazë pas luftës

7 Nëntor 2023 | 09:24

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin.

Ai, po ashtu, u shpreh i hapur për “pauza të shkurtra” në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në mënyrë që të lehtësohet lirimi i pengjeve.

Këto deklarata të tij, të cilat i tha gjatë një interviste me ABC News, janë shenjat më të qarta deri më tani se Izraeli synon ta kontrollojë territorin i cili është shtëpi e rreth 2.3 milionë palestinezëve, shkruan REL.

Përsëri, Netanyahu e hodhi poshtë çdo mundësi për armëpushim, nëse nuk lirohen rreth 240 pengjet që i rrëmbeu grupi militant Hamas gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm për “pauza të shkurtra taktike”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka theksuar nevojën për pauza humanitare gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të hënën, por nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me të, tha Shtëpia e Bardhë.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000, përfshirë më shumë se 4.100 fëmijë dhe 2.640 gra.

Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë nga dhuna dhe nga bastisjet izraelite.

Më shumë se 1.400 njerëz u vranë në Izrael, shumica dërrmuese në sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, të cilat e nxitën këtë luftë, ndërsa 242 njerëz u rrëmbyen në Izrael dhe u dërguan në Gazë nga grupi militant.

Rreth 1.100 njerëz janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit kufitar, Rafah, prej të mërkurës kur u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:58 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026