Zelensky kujton urinë viteve 1932-33: Gjenocid nga Rusia, u përpoqën të na shuajnë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “tejet e rëndësishme” të kujtohet uria e viteve 1932-33, e cila vrau miliona ukrainas, si një “gjenocid” i kryer nga Bashkimi Sovjetik i mbizotëruar nga Rusia.
“Ata u përpoqën të na zhbëjnë, të na nënshtrojnë, të na torturojnë. Ata dështuan. Ata deshën ta fshihnin të vërtetën nga ne dhe t’i mbulonin krimet e tmerrshme përgjithmonë. Ata dështuan”, tha Zelensky gjatë një fjalimi të shtunën, në të cilin e kujtoi urinë nën udhëheqjen e diktatorit sovjetik, Josef Stalin.
Ai shtoi se sot “me nderimin dhe pikëllimin më të madh, ne i kujtojmë miliona njerëz tanë”.
Tragjedia e urisë njihet si Holodomor në Ukrainë, që në shqip e ka kuptimin “vrasje përmes urisë”.
Dita Përkujtimore e Holodomorit u shënua këtë të shtunë në Ukrainë.
Zelensky e nxori një paralele mes urisë së Holodomorit dhe pushtimit të tanishëm të Ukrainës nga Rusia, ushtria e së cilës po i sulmon infrastrukturën dhe depot e eksportimit të drithërave ukrainase.
“Ky është një proces ku linja e politikës totalitare sovjetike dhe linja e politikës moderne ruse e formojnë një shenjë të përbashkët. E liga nuk u ndal. Dhe tani, ne po e ndalim atë”, u shpreh ai.
Pikërisht në ditën e Holodomorit, Rusia e sulmoi Ukrainën me një numër rekord dronësh iranianë, duke i plagosur disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme, thanë zyrtarët ukrainas të shtunën, duke e cilësuar këtë si sulmin më të madh rus me dronë prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.
Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin – me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.
Ukraina është duke u përgatitur për sulme më të shpeshta ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike gjatë sezonit të ftohtë, sepse Moska e kishte kryer një fushatë të ngjashme dimrin e kaluar, duke i lënë miliona ukrainas në terr dhe në të ftohtë, pasi ua kishte shkatërruar infrastrukturën jetike të energjisë./REL
LEXONI GJITHASHTU:
Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5
Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:57 Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5
- 16:53 Bayer Leverkusen shkarkon Hjulmandin, e zëvëndëson Martinez Novell
- 16:48 Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij
- 16:41 Udhëheqësi i Hezbollahut hedh poshtë planin e armëpushimit Liban-Izrael: Negociatat janë të turpshme
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta