BE-ja i bën thirrje RMV-së që të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor

13 Dhjetor 2023 | 07:18

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor të vendit, duke vlerësuar se ai ka arritur në “një pikë kritike”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre.

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, i paraqiti të martën 40 masa të një grupi të ekspertëve evropianë, të cilat, tha ai, duhet të jenë prioritet i tanishëm i autoriteteve maqedonase, por edhe i çdo qeverie të ardhshme për ta vënë në binarë sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.

Masat kanë të bëjnë me reformimin e Këshillit Gjyqësor, përkatësisht ndryshimin e mandatit të anëtarëve, procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, përmirësimin e praktikave të transparencës, rritjen e pavarësisë financiare të organit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve në monitorimin e punës së tij.

“Duhet veprim urgjent për ta adresuar këto probleme, sepse gjyqësori është në një pikë kritike. Problemet në Këshillin Gjyqësor janë grumbulluar prej kohësh dhe nuk janë adresuar me kohë dhe në mënyrë të duhur dhe sistematike”, tha Geer.

Këshilli Gjyqësor është institucioni më i rëndësishëm në gjyqësorin e vendit, sepse ai vendos për përgjegjësinë, disiplinën dhe shkarkimin e gjyqtarëve.

Kritikat ndaj Këshillit Gjyqësor për ndikime dhe presione politike janë theksuar edhe në një raport të Komisionit Evropian në nëntor, ndërsa vërejtje të ngjashme ka edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Raporti i KE-së vë në pah mungesën e përparimit në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit.

Janë kritikuar edhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat mundësuan ndërprerjen e shumë proceseve gjyqësore dhe uljen e dënimeve me burg për ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjatë qeverisjes së tij nga 2006-2016.

Lidhur me zhvillimet në Këshillin Gjyqësor dhe veprimet e tij, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, në nëntor deklaroi se Këshilli nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet ligjore dhe se veprimet e tij nuk janë në përputhje me pritjet e banorëve të Maqedonisë së Veriut.

OSBE-ja ka bërë një anketë me gjyqtarët, në të cilën më shumë se gjysma kanë deklaruar se nuk e konsiderojnë Këshillin Gjyqësor si organ praktikisht të pavarur në punën e tij.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së

Pas tubimit përballë kryeministrisë qytetarë u mblodhën fillimisht para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas u drejtuan edhe pranë selisë së Partisë Demokratike. Protestuesit...
23:07 | 03/06/2026