Ukraina lëshon tre alarme radhazi për sulme ajrore brenda ditës
Një alarm i madh për sulme ajrore u lëshua në Ukrainë tri herë vetëm brenda ditës së enjte, për shkak të raportimeve për shpërthime në afërsi të kryeqytetit, Kiev.
Shkaktarët e shpërthimeve nuk u bënë të ditura menjëherë.
“E gjithë Ukraina është e kërcënuar nga sulmet raketore”, tha forca ajrore e Ukrainës, duke shtuar se avionët luftarakë rusë ishin ngritur në ajër.
Dy alarmet paraprake u lëshuan në orën 11:00 dhe në orën 14:00 me kohën lokale. Nuk u dhanë hollësi të tjera.
Alarmet për sulme ajrore u lëshuan në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do ta vazhdojë luftën në Ukrainë dhe se qëllimet e saj për këtë nuk kanë ndryshuar.
Duke folur në konferencën vjetore për media, të enjten, ai tha se qëllimet e tij mbeten të njëjta dhe se paqja do të vijë kur ato të arrihen.
Teksa merrte pyetje nga gazetarët, publiku dhe madje ushtarët, Putin tha se qëllimet kryesore të Rusisë mbeten “denazifikimi” dhe “çmilitarizimi” i Ukrainës, duke siguruar edhe neutralitetin e saj.
“Do të ketë paqe kur t’i arrijmë qëllimet tona”, tha udhëheqësi 71-vjeçar, i cili, javën e kaluar, njoftoi se do të garojë për mandatin e pestë presidencial në zgjedhjet e marsit.
“Sa i përket çmilitarizimit, nëse ata [ukrainasit] nuk duan të arrijnë marrëveshje – mirë, atëherë ne jemi të detyruar të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake… Ose kemi një marrëveshje, biem dakord për disa parametra [për madhësinë dhe forcën e ushtrisë së Ukrainës]… ose ne e zgjidhim këtë me forcë. Kjo është ajo për të cilën ne do të përpiqemi”, tha Putin.
Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në muajin shkurt të vitit 2022, Putin ka thënë se qëllim i operacionit është “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës – terma që zyrtarët e Kremlinit i kanë përdorur për të pohuar në mënyrë të rreme se Qeveria në Kiev kontrollohet nga simpatizantët nazistë.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq