Në OKB pritet të votohet për një armëpushim në Gazë

18 Shkurt 2024 | 09:51

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka të ngjarë që të votojë të martën, më 20 shkurt, për një kërkesë të Algjerisë që u kërkon 15 anëtarëve të Këshillit të mbështesin një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, thanë diplomatët.

SHBA-ja ka sinjalizuar se do të vendosë veto për një votim të tillë.

Më shumë se dy javë më parë, Algjeria ka prezantuar një draft-rezolutë fillestare. Por, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, menjëherë tha se teksti i rezolutës rrezikon “negociatat e ndjeshme”, që synojnë të arrijnë një pauzë në luftime.

Më 17 shkurt, Algjeria kërkoi që Këshilli i Sigurimit të votojë të martën, thanë diplomatët. Që të miratohet një rezolutë në këtë institucion kërkohet që të paktën nëntë vota të jenë për dhe asnjë veto.

Fuqinë e vetos në Këshill të Sigurimit e kanë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina dhe Rusia.

“SHBA-ja nuk mbështet veprimet në këtë draft-rezolutë. Nëse vjen për votim kështu siç është hartuar, nuk do të miratohet”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield përmes një deklarate.

SHBA-ja, që mbështet Izraelin në luftën e fundit kundër Hamasit, por që i ka kërkuar që të bëjë gjithçka që mundet që të mbrojë civilët në Gazë, veçse ka vendosur veto dy herë në Këshill që nga 7 tetori, kur nisi lufta në Gazë. Uashingtoni po ashtu ka abstenuar dy herë, duke i lejuar Këshillit të Sigurimit të miratojë rezoluta që synonin të rrisnin ndihmën humanitare në Gazë dhe bënin thirrje për një zgjatje urgjente të pauzës në luftime.

Bisedimet mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit synojnë që të arrihet deri te një pauzë në luftime dhe lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit të tij në Izrael më 7 tetor.

“Është kritike që edhe palët e tjera t’i japin shans këtij procesi që të jetë i suksesshëm në vend se të shtyjnë përpara masa që vënë në rrezik atë”, tha ambasadorja amerikane në OKB.

Gjatë sulmit më 7 tetor në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë që deri më tani, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, ka vrarë mbi 28.000 persona në enklavën e rrethuar.

Mundësia që OKB-ja të votojë për rezolutën e prezantuar nga Algjeria ndodh në kohën kur Izraeli po planifikon që të nisë një ofensivë në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin. Në këtë qytezë mbi 1 milion palestinezë janë zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare se një lëvizje e tillë nga Izraeli do të përkeqësonte krizën humanitare në Gazë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Numri i të zhdukurve nga tërmetet në Venezuelë po rritet, fati i 10,000 personave është i panjohur

Më shumë se 10,000 persona u raportuan të zhdukur pas tërmetit që goditi Venezuelën gjatë natës, sipas të dhënave nga një faqe interneti e krijuar...
16:42 | 25/06/2026

“Ka njerëz gjallë atje”, dëshmitë rrëqethëse nga zonat e goditura nga tërmeti në Venezuelë

Shumë banorë e kaluan natën në rrugë ose duke kërkuar familjarët e tyre në Catia La Mar, në shtetin La Guaira, një nga zonat që...
16:14 | 25/06/2026

“Mendova se do të vdisja’ – Venezuelianët përshkruajnë panikun e tërmetit, familjet ende kërkojnë të mbijetuarit

Mbi 160 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën në mbrëmje, duke...
16:04 | 25/06/2026