Presidenti Biden i gatshëm të takojë republikanët për ndihmën për Ukrainën

19 Shkurt 2024 | 22:21

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha të hënën se është i gatshëm të takohet më kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson për të diskutuar mbi paketën e ndihmës për Ukrainën për të përballuar agresionin rus, duke shtuar se republikanët po gabohen që po kundërshtojnë paketën e ndihmës.

Senati, përmes një votimi ndërpartiak, më herët gjatë këtij muaji, miratoi projektligjin për një paketë ndihme prej 95 miliardë dollarësh që përfshin fondet për Ukrainën, por Johnson deri tani ka refuzuar ta hedhë atë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët me një epërsi 219-212. Johnson ka kërkuar një takim me Presidentin Biden.

“Do ta takoj me kënaqësi, në ka diçka për të thënë”, u shpreh Biden.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, pasi u kthye nga fundjava në Dellauer, Presidenti Biden tha se republikanët po bënin një gabim të madh duke kundërshtuar ndihmën që Ukrainës i nevojitet për të përballuar agresionin rus.

Anëtarët e Kongresit nuk pritet të kthehen në Uashington deri në 28 shkurt, ditë kur Kongresi përballet me një afat urgjent për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë, që do të niste në 1 mars, nëse nuk veprojnë ligjvënësit.

Disa ligjvënës kanë diskutuar për paketa të tjera alternative apo rrugë të tjera për të kapërcyer kundërshtitë e Johnson, por edhe këto alternativa mbartin pasiguri.

Presidenti Biden, ka qenë mjaft kritik ndaj ish presidentit Donald Trump, që ka të ngjarë të jetë rivali i tij në zgjedhje, si dhe republikanëve të tjerë, lidhur me paralajmërimet për të mos mbrojtur aleatët e NATO-s nëse ata nuk kontribuojnë mjaftueshëm mbi shpenzimet për mbrojtjen. Biden tha se republikanët po bëjnë një gabim të madh “duke u larguar nga NATO dhe duke mos u përballur me kërcënimin që paraqet Rusia”.

“Është tronditëse. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha Biden.

Presidenti Biden tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny.

“Ne kemi vënë sanksione, por po shqyrtojmë mundësinë e shtimit të sanksioneve”, tha ai.

Presidenti Biden, të premten, fajësoi Presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e udhëheqësit të opozitës dhe paralajmëroi për pasoja.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026