Kryediplomati çek në OKB kërkon lirimin e gazetares së arrestuar në Rusi

14 Mars 2024 | 15:11

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, gjatë një debati në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Moskës që të lirojë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Kurmasheva po mbahet nga autoritetet ruse që pothuajse pesë muaj, nën akuza, që ajo, REL-i dhe mbështetësit e saj i mohojnë.

Gjatë një debati në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, Lipavsky foli për nevojën e promovimit të një atmosfere të sigurt dhe mbështetëse për gratë, për avokim për të drejtat e grave, aktivistëve, gazetarëve dhe për barazi gjinore.

Ai më pas kritikoi Rusinë, anëtaren e përhershme të Këshillit të Sigurimit, duke thënë se është në kundërshti me parimet themelore të OKB-së me pushtimin e Ukrainës dhe me prishjen e gjithë strukturës së sigurisë që përshkruhet në kartën e OKB-së.

“Dua të shtoj se Çekia i bën thirrje Rusisë që të lirojë nga paraburgimi Alu Kurmashevan”, tha Lipavsky, duke shtuar se Këshilli i Sigurimit duhet të reformohet, në mënyrë që të shtohen më shumë shtete me qëllim që ky institucion të forcohet.

Kurmashva, gazetare e REL-it që punon në Pragë të Republikës Çeke, ka shtetësi amerikane dhe ruse. Ajo është në paraburgim që nga 18 tetori i vitit 2023 nën akuza për shkelje të të ashtuquajturit ligj për “agjentë të huaj”.

Pavarësisht se ka kaluar pothuajse pesë muaj në paraburgim, Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e ka përcaktuar atë si person të ndaluar padrejtësisht, siç ka bërë me shtetas të tjerë amerikanë që mbahen në Rusi.

Ky përcaktim do të rriste profilin e rastit kundër Kurmashevas dhe do të bënte që rasti kundër saj të cilësohej si i motivuar politikisht. Edhe dy shtetas të tjerë amerikanë mbahen në Rusi, gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan. Për të dy, SHBA-ja ka thënë se janë ndaluar padrejtësisht.

Kurmasheva që ka punuar për afër 25 vjet për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it, u largua nga Praga në majin e vitit të kaluar për të shkuar në Tatarstan për shkak të një emergjence familjare.

Ajo u ndalua përkohësisht derisa po priste që të kthehej në Çeki më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku të dy pasaportat e saj dhe telefoni iu konfiskuan. Pas pesë muajsh pritje për vendimin për rastin e saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë pasi autoritetet thanë se ajo kishte dështuar që të regjistronte pasaportën e saj amerikane në Rusi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026