BE do dërgojë 260 miliardë euro astete të ngrira ruse në Ukrainë

10 Prill 2024 | 15:24

Bashkimi Evropian është duke iu afruar një vendimi historik që parasheh shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse për t’i ndihmuar Ukrainës.

Asetet e Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 dhe ashtu vazhdojnë të jenë.

Letrat me vlerë dhe paratë e gatshme që janë ngrirë në shtatë vendet më të industrializuara në botë (G7) dhe në Bashkimin Evropian e Australi, besohet se e kanë vlerën e 260 miliardë eurove.

Asete në vlerë të 210 miliardë eurove janë në BE, kryesisht në Belgjikë, shtëpinë e Euroclear, kompanisë për shërbime financiare, e specializuar në transaksione të letrave me vlerë.

Në shkurt është bërë hapi i parë prej Brukselit në këtë drejtim, duke i lënë anash fitimet e grumbulluara nga asetet e ngrira. Më 20 mars, Komisioni Evropian e ka propozuar inicimin e një hapi të dytë dhe final për të dërguar para të gatshme në Ukrainë.

Diçka e tillë është shtyrë përpara kohëve të fundit nga disa ministra të Jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët kanë kërkuar nga kryediplomati evropian, Josep Borell që të dalë me një propozim për jetësim të kësaj ndihme.

Asnjëra prej 27 vendeve anëtare nuk ka kundërshtuar propozimin e Borrellit, ndonëse puna nuk është kryer ende.

Liderët dhe zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së ende do të duhet të studiojnë propozimin e Komisionit Evropian dhe t’ia japin unanimisht dritën jeshile.

Zanafilla e gjithë kësaj

Në propozim – që e ka parë Radio Evropa e Lirë – hapi i parë i procesit, lënia anash e fitimeve, ka nisur më 15 mars të këtij viti.

“Depozituesve qendrorë të letrave me vlerë u ndalohet të kenë qasje në këto fitime, apo t’ua shpërndajnë fitimin aksionarëve, derisa Këshilli Evropian të vendosë për kontributin financiar që do të mblidhet për t’i ndihmuar Ukrainës”.

Depozituesit qendrorë të letrave me vlerë janë institucione, sikurse Euroclear, që mbajnë dhe administrojnë letra me vlerë dhe mundësojnë kryerjen e transaksioneve me to.

Ky hap besohet se e ka rritur fondin në mes të 2.5 deri në 3 miliardë eurove.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Ekzistojnë disa “të mira” mbrapa propozimit, nëse vendet e miratojnë atë: pritet që 3 për qind e fitimeve nga asetet e ngrira të mbeten te depozituesit qendrorë të letrave “për të garantuar efikasitetin e punës së tyre”.

Në të ardhmen, kompanitë për shërbime financiare do të mund të sigurojnë 10 për qind të fitimeve për t’i mbuluar tarifat e mundshme ligjore, pasi ka shumë mundësi që Rusia do ta çojë rastin në gjyq.

Disa zyrtarë të BE-së, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, e kanë hedhur poshtë mundësinë e dëmtimit të pozitës së euros.

Fakti që Brukseli është marrë me këtë gjë për shumë muaj, pa pasur ndonjë ndikim në valutën e përbashkët, po përmendet si argument për të ecur përpara me planet.

Një tjetër argument në mbështetje të propozimit është shtetet e G7-s janë duke hartuar plane të ngjashme, andaj ka mundësi që të mos jetë euroja valuta e vetme që ekspozohet.

Lidhur me këtë ekziston edhe një propozim i Komisionit Evropian për mënyrën e shpenzimit të parave, çka u ofron vendeve anëtare edhe më shumë potencial për vëzhgim, por edhe mundësi për veto.

Fillimisht ishte menduar që paratë e gjeneruara prej fitimeve do të ndaheshin për rindërtim të Ukrainës.

Mirëpo me vazhdimin e luftës, askush nuk pret ndonjë shkallë të madhe rindërtimi të këtij vendi, andaj BE-ja ka propozuar që 90 për qind e parave të shkojnë për furnizim të Kievit me pajisje ushtarake dhe pjesa tjetër, 10 për qind, në ndihmë të rregullt financiare.

Shuma prej 10 për qind do të ndahej përmes buxhetit të rregullt të BE-së, andaj nuk do të ketë nevojë për ndonjë unanimitet prej vendeve anëtare.

Mirëpo pjesa tjetër, 90 për qind, duhet të kalojë përmes një mekanizmi të BE-së për buxhet – i vetmi që i mundëson Brukselit të dërgojë para në Ukrainë për blerje armësh.

Në dy vjetët e fundit, BE-ja ia ka dërguar Kievit 5.6 miliardë euro për blerje të armëve dhe artilerisë, pikërisht përmes mekanizimit të bllokut për buxhet, mirëpo në 10 muajt e fundit ka dështuar të nënshkruar një marrëveshje prej 500 milionë eurove për ndihmë për Kievin, si pasojë e vetos së Hungarisë.

Vetoja e Budapestit është rezultat i një mospajtimi mes Hungarisë dhe Ukrainës lidhur me një listë të përpiluar prej Agjencisë Kombëtare të Ukrainës për Parandalim të Korrupsionit.

Banka Hungareze, OTP, ka qenë në listë të zezë dhe është shpallur “sponsore ndërkombëtare e luftës”, pasi i ndihmon Rusisë në bërjen e biznesit.

Ndonëse banka është hequr prej listës qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, Budapesti ka kërkuar garanci që diçka e tillë nuk do të ndodhë në të kaluarën.

Kjo do të thotë se vetoja hungareze, apo e ndonjë vendi tjetër, do të mund të zgjasë kohën e dërgimit të ndihmës së BE-së në Ukrainë të paktën deri në verë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026