Roja bregdetare italiane: Nëntë të vdekur nga fundosja e anijes në Mesdhe

11 Prill 2024 | 17:59

Nëntë persona, përfshirë një foshnje, vdiqën kur anija e tyre u fundos ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie.

Fati i 15 personave të tjerë ende nuk dihet, sipas njoftimit të rojes bregdetare italiane të enjten.

Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës.

Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke “shpëtuar 22 të mbijetuar dhe gjetur trupat e 9 personave, përfshirë atë të një foshnjeje.”

Operacioni i shpëtimit “ishte i vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të rënda në këtë zonë, me dallgë që arrinin lartësinë deri në 2.5 metra,” sipas njoftimit të rojes bregdetare.

Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë migrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Fundosje e tmerrshme e anijes në afërsi të Lampedusës gjatë një misioni shpëtimi,” shkroi në rrjetin social X zëdhënësi i UNHCR-së Filippo Ungaro të mërkurën mbrëma. Të mbijetuarit, u dërguan në Lampedusa, “me hipotermi dhe të tronditur,” shtoi ai.

Një aeroplan i rojës bregdetare italiane po vëzhgon zonën përreth anijes së fundosur për persona të tjerë, fati i të cilëve nuk dihet.

Në një operacion tjetër, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar 37 migrantë “të cilët ishin në mëshirën e dallgëve të detit në një varkë të vogël druri rreth 7 metra e gjatë” në afërsi të bregjeve të Lampedusës të mërkurën.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026