Basha e cilëson sulm ndaj opozitës përplasjen me policinë në selinë e FRD-së

12 Mars 2021 | 13:02

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi sulm ndaj opozitës nismën e Bashkisë Tiranë për të marrë në dorëzim zyrat e Frymës së Re Demokratike.

Nga selia e FRD-së, ku deri në vitin 2013-të ka qenë selia e PD-së, Basha tha se ngjarja e sotme me përplasje dhe përfshirjen edhe të Presidentit Ilir Meta është e ngjashme me ato të para gjatë tetë viteve pushtet të qeverisë socialiste.

Ai paralelizoi dhunën me ato të shembjes pa dëmshpërblime të shtëpive të qytetarëve apo dhe Teatrit Kombëtar vitet e fundit.

“Ngjarja e sotme është një seri ngjarjesh që tregon se ka humbur mendjen, ka dalë nga fiqiri nga paniku i humbjes dhe drejtësisë që e pret atë dhe gjithë të tjerët që e kanë shndërruar shtetin shqiptar në strehë të krimit dhe oligarkisë me një letër bakalli si kjo [tregon dokumentin] me anë të së cilës mendojnë se mund të ushtrojnë presion ndaj opozitës,” – tha Basha në deklaratë për mediat.

“Skena të tilla do të vazhdojnë nëse pas 25 prillit Shqipëria mbetet pjesë e së njëjtës status-quo,” – vijoi kryetari i PD-së.

Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha raportoi në edicionin informativ të orës 16:00 se pranë selisë së FRD-së janë mbledhur mbështetës së opozitës, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë do të bëjë opozita, nëse do ta kthejë këtë çështje në kauzë politike apo protestë.

Përplasjet fizike nisën ditën e sotme pasi policia bashkiake dhe policia e shtetit nisën të ekzekutonin një urdhër të Bashkisë Tiranë për lirimin e zyrave të FRD-së. Zyrat e FRD-së ndodhen në katin e tretë të godinës trekatëshe në rrugën Abdi Toptani në Tiranë.

Me vendim të qeverisë Berisha, në vitin 2013 godina i kaloi Bashkisë Tiranë, e cila në një pjesë të saj aktualisht ka vendosur shërbimet e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, disa sektorë të burimeve njerëzore si dhe disa zyra të drejtorisë juridike.

Kryetari i FRD-së, Sali Shehu bëri publik një shkresë pa vulë dhe pa firmë, sipas së cilës Bashkia i kërkonte lirimin e mjediseve me arsye “procesin e bashkisë për sistemimin e zyrave për stafin dhe njësitë administrative”. Kjo mënyrë njoftimi dhe argumentimi nga Bashkia u konsiderua e papranueshme dhe anëtarët e FRD-së e kundërshtuan atë.

Përplasjet përfshinë edhe Presidentin Meta, i cili u gjend aty edhe personalisht. Meta e konsideroi urdhrin për lirimin e zyrave të FRD-së dhe përplasjen me policinë si “grusht shteti”, ndërsa kryetari i FRD-së Shehu tha se ka kallëzuar për abuzim me detyrën dhe ushtrim dhune policinë bashkiake.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha për Euronews Albania se incidenti me përfshirjen edhe të Presidentit Ilir Meta “ishte provokim i parapërgatitur”. Sipas Veliajt mjediset e FRD-së janë të Bashkisë Tiranë dhe se sipas ligjit “partive që nuk kanë as 1% të elektoratit dhe nuk kanë deputetë nuk u takojnë mjedise publike”.

Veliaj citoi Partinë Lëvizja e Legalitetit (PLL) dhe Demokracia Sociale (PDS) si shembuj të ngjashëm ku partitë kanë liruar mjediset publike.

Lexoni gjithashtu:

Presidenti Meta përplaset me policinë bashkiake pas kërkesës për lirimin e zyrave të FRD-së

Kryebashkiaku Veliaj reagon në Euronews Albania për incidentin me zyrat e FRD: Provokim i parapërgatitur

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026