Dita e Europës, Hasani: Fjala kyç është përshpejtimi i procesit të integrimit

9 Maj 2024 | 12:44

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mbajtur fjalën në Ditën e Europës.

Ai theksoi se jetojmë një epokë ndryshimesh dhe kthesash për shkak të rikthimit të luftës në kontinentin tonë, duke shtuar se ky konflikt, mes lirisë dhe tiranisë, mes demokracisë dhe diktaturës jo vetëm që nuk e lëkund besimin e Shqipërisë  kundrejt Bashkimit Europian, por, përkundrazi, e bën atë edhe më të fortë.

FJALA E PLOTË:

Mirë se keni ardhur në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, për të festuar së bashku 9 majin, Ditën e Europës.

Europa është këtu sot,

Në paqe, në siguri dhe në liri,

Sepse, përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, ekziston një interes i përbashkët.

Kjo narrativë vlerash dhe interesash të përbashkëta u bë edhe më e fuqishme dhe më  frymëzuese, më shpresëdhënëse, në të gjitha rastet në mesin e rrënojave të dy luftrave të shekullit të kaluar.

Të shumtë ishin ata, që në pasiguritë e krijaura pas Luftës së Parë Botërore e gjatë tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, ideuan konceptimin e një Europë të lirë dhe të bashkuar. E të përfytyrosh një Europë të lirë e të bashkuar në një nga periudhat më të errta në historinë e njerëzimit është më shumë se një ëndërr, është një vizion profetik.

E pra, ky vizion që u shndërrua në një udhëtim të gjatë, tashmë është një realitet për të gjithë ata që janë anëtarë të Bashkimit Europian, por edhe për ne që aspirojmë të jemi pjesë e këtij bashkimi.

Sot, një tjetër luftë po zhvillohet në hapësirën gjeografike europiane dhe në kufijtë fizikë të Bashkimit Europian. Një tjetër makth apokaliptik i kanoset Europës dhe bashkësisë së vendeve demokratike. Një ish-fuqi perandorake, Rusia, duke kalëruar mbi një ëndërr donkishoteske ndërmorri para dy vjetësh një sulm agresiv kundër një vendi të pavarur e sovran, Ukrainës, me synimin për të rimëkëmbur atë Perandori cariste apo komuniste.

Nuk përbën mister për askënd që agresioni putinian nuk ka ndër mend të ndalet këtu, por synon të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës. Armiku i tij nuk është vetëm një vend, një popull, por një sistem që ngrihet mbi pluralizmin, të drejtat themelore të njeriut, mbi një sistem që mishërohet sot nga Perëndimi dhe më konkretisht nga Bashkimi Europian.

Të gjithë bashkohemi në gjykimin se jetojmë një epokë ndryshimesh dhe kthesash për shkak të rikthimit të luftës në kontinentin tonë. Ky konflikt, jo midis qytetërimesh, por mes lirisë dhe tiranisë, mes demokracisë dhe diktaturës jo vetëm që nuk e lëkund besimin e Shqipërisë  kundrejt Bashkimit Europian, por, përkundrazi, e bën atë edhe më të fortë.

Prandaj, fjala kyç për Europën sot, por sidomos për ne, është përshpejtimi i procesit të integrimit, jo ngecja në vend, jo kthimi mbrapa.

Vetëm kështu Europa do të jetë më e plotë dhe më e sigurtë përkundrejt çfarëdolloj sfide brenda dhe jashtë kontinentit.

Pa bashkësinë e vendeve të Bashkimit Europian as edhe një vend i veçantë, sado i madh e i zhvilluar qoftë, nuk mund të luajë një rol protagonisti në skenën globale.

Edhe pas 30-vjetësh, në memorien kolektive të shqiptarëve nuk është shuar jehona e thirrjes së studentëve të dhjetorit 1990, të cilët u ngritën kundër diktaturës me sloganin historik “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Ky slogan është sot teza parësore e politikës së jashtme shqiptare, aspirata e një populli pavarësisht bindjeve politike, përkatësive etnike apo fetare.

Ne si shoqëri, kemi bërë dhe do të vijojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore, që procesi jetik i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin European, të mos shndërrohet në narrativë biblike. Një endje fizike e shpirtërore në shkretëtirë për të mbërritur në Tokën e Premtuar.

Shpesh, gabimisht dëgjojmë të thuhet integrimi i Shqipërisë në Europë, duke harruar se ne jemi në Europë jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht e kulturalisht. Kufijtë e Europës nuk janë thjesht e vetëm kufij gjeografikë, por kryesisht kufij shpirtërorë. Ky përjetim i bën shqiptarët të ndihen dhe të jenë gjithmonë europianë.

Ne- këtu kam parasysh, jo vetëm klasën politike shqiptare, por edhe ju si përfaqësues të vendve të  Bashkimit Europian, por edhe të  Brukselit zyrtar – kemi një detyrim të madh moral për të rinjt, ayre që ndoshta në numra statistikisht , mbase janë 30% e popullësisë, por përbëjnë 100% te së ardhmes sonë.

Është një detyrim që lidhet me qenien e munguar si qytetarë të Europës së bashkuar. Për askënd prej tyre nuk ekziston një argument, një i vetëm, të përligjë këtë tjetërsim nga i njëjti brez moshatarësh që e gëzojnë këtë të drejtë.

Bashkimi Europian po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ndoshta si asnjëherë tjetër më parë ndjeshmëria, angazhimi dhe pjesëmarrja në to nuk ka ngjallur një interes në këto përmasa. Kjo lidhet jo thjesht me vetëdijën dhe identitetin e të qenit europian, por edhe me atë shkallë përgjegjësie për kontinentin tonë dhe të ardhmen e përbashkët në kohë të pazakonta.

Pavarësisht se cila prej forcave dhe grupimeve politike që përbëjnë yllësinë e politikës mbareuropiane do t’i fitojë këto zgjedhje, e rëndësishme është që procesi i integrimit të akselerojë si asnjëherë tjetër drejt atij objektivi strategjik që synojmë të gjithë tok: anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Kështu Europa do të jetë më e plotë. Kështu edhe ne do të ndihemi më të plotë.

Ëe all matter!

Për shumë vjet gëzuar Ditën e Europës!

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026