Si mund ta ndryshojë ministri i ri rus i Mbrojtjes rrjedhën e luftës në Ukrainë?

14 Maj 2024 | 08:26

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nisur mandatin e pestë presidencial me një tërmet të rrallë qeveritar, vendim që analistët e kanë parë si domosdoshmëri për të menaxhuar një luftë të gjatë dhe të kushtueshme kundër Ukrainës, si dhe pasojat nga rritja e konfrontimit të Moskës me Perëndimin.

Më 12 maj, Putin e ka shkarkuar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, – të konsideruar si ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit rus, dhe të përmendur si pasardhës të tij potencial – dhe e ka zëvendësuar me zëvendëskryeministrin e parë Andrei Belousov, ekonomistin 65-vjeçar, që më parë ka shërbyer si ministër për Zhvillim Ekonomik dhe njihet si person që centralizon impulset e Putinit, shkruan REL.

Duke e lëvizur një burrë që e ka mbikëqyrur gjithë bllokun e ministrave të fushës së ekonomisë në kabinetin e Ministrisë së Mbrojtjes, Putin është duke dhënë shenja për prioritetin që i kushton luftës në Ukrainë dhe rritjes së përpjekjeve për të sfiduar Perëndimin, pavarësisht sfidave me të cilat përballet.

Ky është mesazh që Putin e ka theksuar në shumë fjalime prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, sidomos në muajt e fundit.

“Propozimi për të emëruar njërin prej ekonomistëve kryesorë të Kremlinit në Ministri të Mbrojtjes, mund të nënkuptojë që Putin synon të fitojë luftën në fabrikat e kompleksit ushtarako-industrial si dhe në tregjet ndërkombëtare. Diçka e tillë ka logjikë sepse blloku ekonomik, në përgjithësi, ka qenë më efektiv gjatë luftës, sesa blloku i sigurisë”, ka thënë Aleksandr Baunov, analist në Institutin Carnegie, në një postim në Telegram.

“Strategjia për fitore nuk do të zhvillohet përmes mobilizimeve dhe depërtimeve ushtarake, por përmes aplikimit të presionit të ngadalshëm ndaj Ukrainës, përmes forcës së madhe së kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë dhe ekonomisë, që po funksionojnë më mirë, në të gjitha drejtimet”, ka shtuar ai.

Kirill Martynov, kryeredaktor i gazetës Novaya, ka thënë se emërimi i Belousovit tregon se Putin po tenton të përfshijë ekonominë në sektorin ushtarak – edhe më shumë sesa është tani.

“Ideja kryesore që ka Belousovi është mobilizimi ekonomik në shërbim të synimeve të Putinit”, ka thënë Martynov për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse, të drejtuar prej Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministri i Jashtëm i Iranit: Lufta duhet të përfundojë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi përsëriti se lufta duhet të përfundojë plotësisht në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, në konferencën e tij për...
15:32 | 28/06/2026

Papa Leo lutet për viktimat e tërmetit në Venezuelë, BE dërgon ndihmë emergjente

Papa Leo shprehu solidaritetin e tij me qytetarët e Venezuelës, të cilët po përpiqen të përballojnë ndikimin shkatërrues të dy tërmeteve të njëpasnjëshëm. “Dua të shpreh lutjet...
15:23 | 28/06/2026

“Ju lutem, një ambulancë!” Pas 74 orësh nën rrënoja, shpëtohen një foshnje 10-muajshe dhe një 11-vjeçar (VIDEO)

Bilanci i viktimave dhe të plagosurve nga tërmetet e fuqishme në Venezuelë vijon të rritet nga dita në ditë. Mes tragjedisë, megjithatë, nuk kanë munguar...
14:58 | 28/06/2026