Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli do të vizitojë Tiranën

31 Janar 2020 | 14:13

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor do të jetë pika kyçe e agjendës së Presidentit të Parlamentit Evropian David Sassoli gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Pas vizitës së presidentit në Maqedoninë e Veriut në fillim të nëntorit, z. Sassoli lajmëroi se ai do të udhëtojë drejt Shqipërisë në datat 3 dhe 4 shkurt.

Përpara se të niset drejt Tiranës, Sassoli deklaroi se synon ta kthejë zhgënjimin në energji të re për të ecur përpara.

“Do të shkoj në Shqipëri për t’i inkurajuar dhe për t’i dhënë shpresë për të ecur përpara pas disa muajsh të vështirë për vendin. Së pari, dua të përsëris solidaritetin tim me Shqipërinë dhe popullin e saj pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit. Ngushëllimet e mia shkojnë për të gjithë ata që humbën personat e tyre të dashur. Ndërsa paraja nuk mund ta zhbëjë vuajtjen, është e nevojshme që të rindërtohen shtëpitë dhe infrastruktura. Kam besim tek bujaria e pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare të donatorëve që organizohet nga BE-ja dhe do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt”, thuhet në deklaratën e z. Sassoli.

“Së dyti, dua të rikonfirmoj mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë bërë progres të madh, në një linjë me pritshmëritë tona. Nisja e negociatave mund të jetë një shtysë e madhe për reformat që janë duke u ndërmarrë për rrugëtimin drejt BE-së. Do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të bindur vendet anëtare që kishin ende rezerva në mbledhjen e fundit të Këshillit”, shkruan ai më tej.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Presidenti Sassoli do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Ai do të takohet me Kryeministri Edi Rama, kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi, liderë të grupeve politike, Presidentin e Republikës Ilir Meta, kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si dhe me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe përfaqësuesen e Lëvizjes Socialiste për Integrim Klajda Gjosha. Sassoli do të takohet gjithashtu me studentë nga universitetet dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe UNICEF-in.

“Zhgënjimi për mos hapjen e negociatave nga Këshilli, duhet të përkthehet në energji të reja dhe iniciativa për të shikuar përpara. I jap kurajë Shqipërisë që të fokusohet mbi objektivin e përgjithshëm dhe ta përdorë këtë kohë për të adresuar ndonjë shqetësim që është ngritur, veçanërisht për sa i përket respektit të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fund të fundit, këto reforma janë për të mirën e vendit tuaj dhe brezave të ardhshëm. Edhe nëse rruga është me pengesa herë pas here, çdo hap na sjell më pranë të ardhmes së përbashkët europiane, e cila do ta pasurojë si Shqipërinë ashtu edhe Bashkimin Europian”, përfundoi Sassoli.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj

Autoritetet franceze njoftuan të enjten se kanë gjetur një trup pranë vendit ku u zhduk një vajzë 11-vjeçare. Deri më tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse...
17:37 | 04/06/2026

BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze

Bashkimi Evropian ka miratuar një ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze në një përpjekje për të forcuar armëpushimin e fundit të brishtë....
17:27 | 04/06/2026

25 mijë vende të reja pune nga investimi i Amazon në Evropë

Kompania amerikane Amazon ka njoftuar një plan të ri investimi prej më shumë se 10 miliardë eurosh për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të saj...
17:16 | 04/06/2026