Takimi me Lajçak, Vuçiç: Do prezantoj kërkesat pas sulmeve ndaj serbëve në Kosovë

10 Shtator 2024 | 20:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”, ndonëse ai nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë.

Vuçiç ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Presidenti serb i ka bërë këto komente pasi është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përveç me Lajçak, ai është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Vuçiç ka thënë se Serbia është gjithmonë gati për dialog.

“Mirëpo, Serbia nuk është gati dhe nuk do të lejojë persekutimin e popullsisë serbe, dhe është e qartë që ky është synimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”, ka thënë ai duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Presidenti serb ka thënë se në tetor do të prezantojë para Parlamentit serb “propozime me ndikim të gjerë”.

Pas takimit me Vuçiçin, Lajçak shkroi në X se udhëheqësi serb ngriti “shqetësime të forta lidhur me situatën e serbëve në Kosovë”.

“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian.

Lajçak tha se se vizita e tij në Beograd synoi përgatitjen e takimit të radhës mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Sa i përket mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, Vuçiç ka thënë se ato janë “veprime ilegale dhe kriminale” të Albin Kurtit, dhe që vendet e QUINT-it i kanë dënuar vetëm me fjalë ato veprime.

Bashkimi Evropian, por edhe vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Italia dhe Gjermania) e kanë kritikuar Kosovën, për ato që i kanë konsideruar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të Kosovës

Këto kritika kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur më 30 gusht pesë institucione paralele serbe në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato kanë vepruar në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Në institucionet e mbyllura nga autoritetet e Kosovës, më 30 gusht, janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit.

Në Kosovë ekzistojnë komuna, sipërmarrje publike, kopshte fëmijësh, shkolla fillore e të mesme, dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt prej Qeverisë së Serbisë, dhe gjenden nëpër qytetet ku jetojnë serbët.

Sipas ligjeve të Kosovës, këto institucione janë ilegale.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për mbyllje të strukturave paralele serbe prej vitit 2013, mirëpo ajo nuk është zbatuar plotësisht.

Përgatitjet për rundin e ri të dialogut

Gjatë vizitës në Prishtinë, ditë më parë, Lajçak ka thënë se është arritur pajtueshmëri për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorëve – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit – mirëpo nuk ka dhënë hollësi se kur do të zhvillohet takimi.

Ai e ka konfirmuar që Serbia është tërhequr prej letrës së dërguar në Bruksel vitin e kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva për zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si për Aneksin e zbatimit.

Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiç, ia pati dërguar BE-së një letër, përmes së cilës pati thënë se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Lajçak ka thënë së fundmi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se konsideron që shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë gati për normalizim.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, prej vitit 2011.

Palët kanë arritur disa marrëveshje, por deri tash vetëm disa janë zbatuar./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026