“Pas një muri ka mure të tjera”- Galeria “GOCAT” çel ekspozitën e Naim Spahiut

8 Nëntor 2024 | 13:37

“Pas një muri ka mure të tjera”, ekspozita e artistit nga Kosova Naim Spahiu, hapi dyert
në Galerinë “GOCAT” si një ftesë për të trajtuar peshën e ngjarjeve të së kaluarës dhe
nevojën për të parë drejt së ardhmes. Naim Spahiu vjen për herë të parë me artin e tij
në Shqipëri. “Pas një muri ka mure të tjera” u çel më 7 nëntor në Galerinë “GOCAT” për
një komunitet të gjerë artistik, për të qëndruar e hapur deri më 30 nëntor. Çelja e
ekspozitës vjen qëllimisht në prag të datës së njohur të rënies së Murit të Berlinit, për të
ngacmuar dhe për të trajtuar konceptin metaforik të murit, jo si një pengesë, por si një
sfidë që duhet tejkaluar.

Cikli i punimeve është mjaft i veçantë dhe i serviret artdashësve në format instalativ pas
një hulumtimi 2-vjeçar nga ana e piktorit Spahiu. Ai i ka dhënë identitet materialeve të
gjetura nëpër vende të ndryshme, më saktë mbulesave të karrocerive të kamionëve që i
kanë rezistuar forcës së viteve, duke i kthyer në telajo. Çdo punë e ekspozuar përçon
një emocion ndryshe, por që në thelb të gjitha së bashku trajtojnë raportin e njeriut me
kohën, se si kjo e fundit lë vraga me ngjarje siç është lufta e Kosovës, dhe se si
ndonjëherë ndodh që të mban të lidhur, e të bën të harrosh se ka një të tashme që
duhet jetuar dhe një të ardhme për të cilën duhet menduar. Një element tjetër dallues
është se çdo vepër ka diçka për të treguar nga çdo kënd.

Naimi pohon se kjo është e qëllimshme: “Gjurmët e kohës fshihen edhe aty ku ka dritë,
edhe aty ku nuk ka. Është një zgjedhje e imja të flas për to përmes rrugës së artit.”
Ndërsa për përvojën jetësore, artisti thotë: “Ne vetë si qenie jemi notues. Të jesh i
suksesshëm në profesion ose në çfarëdo sfere, duhet të jesh notar i mirë, pa marrë
parasysh ballafaqimet jetësore. Çdo individ e shoh si notues në kohë dhe secilin e shoh
në drejtimin e tij.”

I pranishëm në hapje të ekspozitës, artisti nga Kosova, Driton Hajredini, nuk i kurseu
komentet pozitive për ekspozitën e Naimit dhe ndër të tjera, për suksesin e saj, vlerësoi
rolin e Galerisë “GOCAT”.

“Ekziston një harmoni e jashtëzakonshme mes hapësirës së galerisë dhe punës së
Naimit, për të cilën duhet të them se më ka impresionuar shumë. Vepra është e
rëndësishme, nuk ka pikë dyshimi për këtë, por rëndësi ka edhe vendi dhe mënyra se si ekspozohet. Këtu te “GOCAT”, ideja dhe mesazhi parësor që ka dashur të përçojë
Naimi, është ruajtur më së miri”, tha Driton Hajredini.

Driton Hajredini

Galeria “GOCAT” është një dhuratë e Fondacionit Mane për banorët, turistët, të
apasionuarit pas artit, si dhe për artistët. Ajo është falas si për vizitorët të cilët duan të
kalojnë momente cilësore të veshura me art bashkëkohor, ashtu edhe për artistët të
cilët duan të promovojnë punën e tyre.

“Pas një muri ka mure të tjera” është ekspozita e tretë që vjen në kryeqytet falas, duke
pasuar ekspozitën “Poezi Vizuale mbi Fotografi Sociale” që pasqyroi padrejtësitë
shoqërore përmes lenteve të fotografëve të njohur ndërkombëtarë si Paul Lowe,
Fabrizio Bellomo, Seamus Murphy & P.J Harvey, dhe të fotografëve shqiptarë si Burim
Myftiu dhe Bevis Fusha.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare

Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që...
10:12 | 02/06/2026

“Qiell i hapur, mendje të hapura, rikthehet DEA Open Air, 40 filma nga 25 vende në garë

Nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura” rikthehet në Tiranë edicioni I 13-të I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Pjesë e këtij...
17:52 | 01/06/2026

Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” ngjitet në skenën e teatrit në Gjirokastër

Premiera e komedisë “Sonte do darkojmë në shtrat” është shfaqur në teatrin e Gjirokastrës, duke tërhequr interesimin e publikut dhe artdashësve të qytetit. Vepra e...
20:22 | 31/05/2026