Burgim të përjetshëm emigrantit nga Venezuela për vrasjen e studentes amerikane

21 Nëntor 2024 | 11:55

Një emigrant nga Venezuela u dënua të mërkurën për vrasjen e Laken Riley-it, studente e infermierisë në Xhorxhia, vrasja e së cilës u bë pjesë e retorikës së presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërsa ai sulmonte emigracionin e paligjshëm gjatë fushatës.

Jose Ibarra, 26 vjeç, i cili ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, u shpall fajtor për vrasje dhe akuza të tjera nga gjyqtari Patrick Haggard në Gjykatën e Lartë të Qarkut Athens-Clarke. Ndërsa lexonte vendimin me zë të lartë, anëtarët e familjes dhe miqtë e viktimës Riley u dëgjuan të qanin, ndërsa i akuzuari Ibarra qëndroi pa reaguar.

Gjykatësi Haggard dëgjoi provat dhe dha vendimin pasi Ibarra hoqi dorë nga e drejta e tij për një gjyq me juri.

Presidenti i zgjedhur Trump dhe republikanë të tjerë përmendën shpesh vrasjen e studentes Riley, duke pretenduar se emigrantët që kalojnë ilegalisht kufirin jugor, ishin përgjegjës për një valë krimesh të dhunshme.

Prokurorët thanë se Ibarra e hasi viktimën Riley, 22 vjeçe, në një shteg përmes pyllit, ndërsa ajo ishte duke bërë vrap më 22 shkurt dhe e vrau pasi ajo i rezistoi përpjekjeve të tij për ta përdhunuar.

Në deklaratën e saj përmbyllëse më herët të mërkurën, prokurorja Sheila Ross i quajti provat kundër Jose Ibarrës “të jashtëzakonshme”, përfshirë ADN-në nën thonjtë e viktimës, që autoritetet e lidhën me të pandehurin, gërvishtjet në trupin e Ibarrës dhe pamjet filmike të një burri, që përputhet me përshkrimin e Ibarrës, duke hedhur një xhaketë të gjakosur në një kazan mbeturinash menjëherë pas vrasjes.

Avokatët mbrojtës argumentuan se provat ishin rrethanore dhe nuk mund të përjashtonin mundësinë e një sulmuesi tjetër.

Rasti i studentes Riley u bë temë kombëtare në mars gjatë fjalimit të Presidentit Joe Biden për gjendjen e vendit, kur ligjvënësja Marjorie Taylor Greene ndërpreu fjalimin e tij për të kërkuar që ai “të thoshte emrin e saj”.

Presidenti Biden doli nga fjala e përgatitur për të përmendur zonjën Riley, të cilën ai e përshkroi si një grua të pafajshme të vrarë nga një “ilegal”. Republikanët e kritikuan atë, pasi u duk se e shqiptoi gabim emrin e viktimës Riley, ndërsa Presidenti Biden më vonë kërkoi falje për përdorimin e fjalës “ilegal” për t’iu referuar një personi.

Presidenti Biden, në atë kohë edhe kandidati demokrat për president, u tërhoq nga gara në korrik dhe u zëvendësua nga Nënpresidentja Kamala Harris, e cila humbi zgjedhjet në fillim të këtij muaji përballë zotit Trump.

Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar të bëjë deportime masive të emigrantëve, pasi të bëjë betimin për marrjen e detyrës në janar.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Treni i mallrave përplaset me një kamion në SHBA, 1 viktimë dhe 1 i plagosur rëndë! 17 vagona dalin nga shinat

Një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë pasi një tren mallrash u përplas me një kamion në lindje të Iowës të mërkurën në...
14:39 | 04/06/2026

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima

Ushtria amerikane sulmoi një anije të akuzuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor të mërkurën, duke vrarë dy burra, ndërsa administrata Trump zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të...
14:12 | 04/06/2026