Dyshohet se një anije kineze preu kabllot në Detin Baltik

24 Nëntor 2024 | 08:41

Aleatët evropianë në rajonin e Baltikut po hetojnë se si dy kabllo me fibra optike për komunikimin u dëmtuan në fillim të kësaj jave, ndërsa ka dyshime për një anije kineze. Gjermania ka thënë se incidenti ishte qartazi sabotim. Siç raporton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell vendet perëndimore kanë paralajmëruar për shtimin e sulmeve hibride nga vendet kundërshtare.

Marina daneze njoftoi se këtë javë kishte gjurmuar një anije kineze mallrash, Yi Peng 3, ndërsa lëvizte nëpër Detin Baltik. Danimarka nuk dha shumë detaje, por ka spekulime se anija mund të ketë dëmtuar kabllot e komunikimit në shtratin e Detit Baltik. Njëra kabllo e lidh Finlandën me Gjermaninë dhe tjetra kalon midis Suedisë dhe Lituanisë.

Zyrtarët gjermanë janë të bindur se kjo nuk ishte rastësi.

“Gjermania nuk beson në variantin se kabllot u dëmtuan aksidentalisht nga hedhja e spirancave. Pa e ditur me përpikëri se kush e bëri këtë, dalim në përfundimin se ishte një veprim hibrid, sabotim”, deklaroi shefi gjerman i mbrojtjes.

Aleatët evropianë të Baltikut po bashkëpunojnë në hetime, thotë analisti finlandez i mbrojtjes Charly Salonius-Pasternak.

“Ka një palë që do të thosha se shikon operacione hibride në gjithçka që ndodh. Kjo është një nga gjërat për të cilat kam paralajmëruar. Nëse jeni në një sallë pasqyrash, gjithçka duket në një mënyrë të caktuar. Por siç e kemi parë tashmë në Detin Baltik dhe gjetkë, incidenti i kabllove ndodhi në ‘momentin e duhur’ me spirancat, apo diçka tjetër, ndaj vjen një moment që nxjerr konkluzionin se kjo nuk mund të jetë thjesht një aksident”, thotë ai.

Incidente të ngjashme ka pasur në Detin Baltik. Vitin e kaluar u dëmtua tubacioni i gazit që lidh Estoninë dhe Finlandën. Dhjetë muaj më vonë, Kina tha se një anije e regjistruar në Hong Kong kishte shkaktuar aksidentalisht dëmin gjatë një stuhie, por Finlanda ishte skeptike për këtë variant.

“Të paktën për disa vende, mund të jetë politikisht e përshtatshme për t’i etiketuar zhvillimet si mistere të pazgjidhura. Sepse, në këtë rast, nëse themi se dikush në Pekin e udhëzoi kapitenin ta bënte këtë, atëherë cili do të ishte reagimi?”, thotë Charly Salonius-Pasternak, nga Instituti Finlandez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Kina ka mohuar se ka njohuri për dëmtimin e fundit të kabllove në Baltik.

“Jemi të gatshëm të zhvillojmë komunikime me palët përkatëse në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të mbrojtur së bashku infrastrukturën detare të komunikimit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, shpresojmë në mbrojtjen efektive të të drejtave të lundrimit legjitim të anijeve kineze”, thotë Lin Jian, Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Kineze.

Në shtator të vitit 2022, tubacioni “Nord Stream” që transportonte gaz nga Rusia për në Gjermani nën Detin Baltik u hodh në erë. Ende nuk dihet autori. Vendet perëndimore dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën, ndërsa ka pasur aludime se Ukraina e kreu sulmin. Të gjitha palët mohojnë të jenë përgjegjëse për shpërthimin.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5 

Avionët luftarakë Rafale të Francës do t’i shtohen së shpejti flotës së Forcave Ajrore të Ukrainës, shkroi ambasadori francez në Suedi, Thierry Carlier, në X....
16:57 | 04/06/2026

Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)

Disa anëtarë të stafit u plagosën kur ingranazhi i hundës së një avioni i linjës 787 u rrëzua papritur në një portë në aeroportin e...
16:28 | 04/06/2026

Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare

Autorja, regjisorja, ilustratorja dhe aktivistja franko-iraniane Marjane Satrapi, e njohur për serinë e saj të romaneve grafike dhe filmin Persepolis, ka vdekur në moshën 56...
16:14 | 04/06/2026