Papa bën thirrje për ndaljen e luftërave në mbarë botën

25 Dhjetor 2024 | 15:47

Papa Françesku bëri thirrje që “të ulen armët” në mbarë botën gjatë adresimit të tij për Krishtlindje. Ati i Shenjtë bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan dhe dënoi “situatën shumë të rëndë” humanitare në Rripin e Gazës.

Ai përdori mesazhin tradicional drejtuar 1.4 miliard katolikëve në mbarë botën, duke kërkuar bisedime për paqe të drejtë në Ukrainë, teksa ky shtet u përball me sulme masive raketore dhe me dronë në Krishtlindje.

Papa po ashtu kërkoi armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Mendoj për komunitetet e krishtera në Izrael dhe Palestinë, veçmas në Gazë, ku situata humanitare është jashtëzakonisht e rëndë”, u tha ai mijëra besimtarëve që u mblodhën para Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë për adresimin e Papës.

“Uroj të ketë armëpushim, uroj që pengjet të lirohen dhe t’u jepet ndihma njerëzve që janë rraskapitur nga uria dhe lufta”.

Ai po ashtu bëri thirrje për paqe në Sudan, ku po zhvillohet një luftë brutale civile, që ka nisur 20 muaj më parë dhe që ka bërë që miliona persona të përballen me uri.

Në ditën e Krishtlindjes, Ukraina u përball me sulme masive ruse. Ukraina që dy vjet shënon Krishtlindjen më 25 dhjetor në vend më 7 janar, kur shumica e besimtarëve ortodoksë e shënojnë këtë festë.

Festimet për Krishtlindje ishin të heshtura në vendlindjen biblike të Jezu Krishtit, në qytetin e Betlehemit që gjendet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit të kaluar, ky qytet palestinez ka hequr dorë nga pema gjigante e Krishtlindjes dhe nga dekorimet që tërhiqnin shumë turistë.

“Këtë vit kemi kufizuar gëzimin tonë”, tha kryetari i Betlehemit, Anton Salman për AFP-në.

Rreth 1.100 të krishterë jetojnë në Gazë, ku për Krishtlindje qindra u mblodhën në një kishë për t’u lutur që lufta të mbarojë.

“Kjo krishtlindje mban erën e vdekjes dhe shkatërrimit”, tha George al-Sayegh, i cili për javë të tëra është strehuar në një kishë ortodokse greke në Qytetin e Gazës.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ambasadori francez: Franca do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë Rafale dhe Mirage 2000-5 

Avionët luftarakë Rafale të Francës do t’i shtohen së shpejti flotës së Forcave Ajrore të Ukrainës, shkroi ambasadori francez në Suedi, Thierry Carlier, në X....
16:57 | 04/06/2026

Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)

Disa anëtarë të stafit u plagosën kur ingranazhi i hundës së një avioni i linjës 787 u rrëzua papritur në një portë në aeroportin e...
16:28 | 04/06/2026

Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare

Autorja, regjisorja, ilustratorja dhe aktivistja franko-iraniane Marjane Satrapi, e njohur për serinë e saj të romaneve grafike dhe filmin Persepolis, ka vdekur në moshën 56...
16:14 | 04/06/2026