Trump synon të parandalojë mbylljen e TikTokut në SHBA

17 Janar 2025 | 10:31

I emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, ligjvënësi Mike Waltz tha në një intervistë të mërkurën se zoti Trump po shqyrton alternativat për të parandaluar mbylljen e rrjetit TikTok.

Zoti Waltz e bëri komentin kur u pyet nga gazetari i rrjetit FoxNews, Bret Baier, lidhur me një lajm të gazetës “The Washington Post” se zoti Trump po shqyrtonte lëshimin e një urdhri ekzekutiv për të pezulluar zbatimin e një ligji federal që mund të ndalonte rrjetin TikTok në Shtetet e Bashkuara me datën 19 janar.

Gjykata e Lartë dëgjoi javën e kaluar argumentet në një sfidë ligjore të paraqitur nga rrjeti TikTok kundër një ligji që parashikon ndalimin e platformës sociale në Shtetet e Bashkuara. Argumentet u paraqitën nga kompania mëmë ByteDance me seli në Kinë dhe përdorues të platformës.

Duket se anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk do të hedhin poshtë ligjin federal, i cili i kërkon kompanisë ByteDance që të heqë dorë nga platforma TikTok për arsye të sigurisë kombëtare ose të përballet me ndalimin e rrjetit në një nga tregjet e tij më të mëdha.

“Nëse Gjykata e Lartë merr një vendim në mbështetje të ligjit, Presidenti Trump është shprehur shumë qartë. Së pari, rrjeti TikTok është një platformë e mirë që përdoret nga shumë amerikanë dhe ka luajtur një rol të mirë për të përcjellë mesazhin e fushatës së tij. Së dyti, ai do të mbrojë të dhënat e tyre”, tha zoti Waltz.

“Ai njihet për marrëveshjet. Nuk dua t’u paraprij urdhrave ekzekutivë, por ne do të krijojmë këtë hapësirë për të arritur një marrëveshje”, shtoi ai.

Ndërkohë, e emëruara e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuar, Pam Bondi, shmangu një pyetje gjatë një seance konfirmimi në Senat nëse ajo do të mbështeste ligjin për ndalimin e rrjetit TikTok.

Sidoqoftë, zoti Trump ka ndryshuar qëndrimin lidhur me aplikacionin e njohur pas përpjekjeve për ndalimin e këtij rrjeti gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë mes shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Gjatë fushatës së fundit presidenciale, zoti Trump dhe ekipi i tij e përdorën rrjetin TikTok për të bërë për vete moshat e reja, veçanërisht votuesit meshkuj, me postime që u përhapën gjerësisht në platformë. Ai u zotua gjatë fushatës që ta “shpëtojë TikTok-un” ndërsa është shprehur se rrjeti social e ndihmoi atë të fitonte më shumë vota mes të rinjve.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026