Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se Kanadaja ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara prej vitesh me tarifa për lëndën e drurit dhe produktet e qumështit dhe paralajmëroi se do të vendosë tarifa reciproke ndaj Kanadasë.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “tarifat e jashtëzakonshme” që Kanadaja vendos mbi produktet e qumështit dhe lëndës së drurit, e kanë bërë të pamundur shitjen e produkteve amerikane në Kanada.
Ai tha se nëse Kanadaja nuk pranon t’i heqë ato, ai do t’i vendosë të njëjtën tarifë Kanadasë.
Të enjten Trump shtyu për katër javë tarifat e reja prej 25% për shumicën e eksporteve meksikane dhe kanadeze në Shtetet e Bashkuara.
Një ditë më herët, Presidenti Trump njoftoi se po ndalonte tarifat për importet e automjeteve nga të dy vendet pasi tre prodhuesit më të mëdhenj amerikanë të automjeteve thanë se tarifat do të kishin një ndikim të rëndë financiar mbi ta.
Presidenti i shtyu tarifat ndaj Meksikës pasi bisedoi me presidenten meksikane Claudia Sheinbaum e cila tha se qeveria e saj kishte ndihmuar në frenimin e fluksit të emigrantëve dhe fentanilit, një opioid vdekjeprurës në SHBA.