Konjufca: Qeverinë synojmë ta formojmë me partitë joserbe

10 Mars 2025 | 11:22

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se partia e tij synon që ta formojë Qeverinë e re me mbështetjen e partive joserbe.

“Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar, siç kishte në qeveritë paraprake”, tha Konjufca për institutin dhe median online me seli në Itali, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.

Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, dhe sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 42.27 të votave apo 48 ulëse në Parlamentin me 120 vende.

Minoritetet joserbe kanë dhjetë vende të rezervuara në Kuvend. Nëse LVV-ja dhe partitë joserbe bëhen bashkë, do të kishin 58 ulëse – sërish në pak se 61 vota sa kërkohet për formimin e Qeverisë.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiç, po ashtu ka fituar një ulëse nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb, ndërkaq nëntë të tjera Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Por, edhe me mandatin e Rashiçit, LVV-së do t’i duheshin edhe dy deputetë që të mbështesnin një ekzekutiv të ri të partisë së kryeministrit Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ka pak të ngjarë që LVV-ja të bashkëpunojë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

“Nëse do të jetë e nevojshme ne do të takohemi si udhëheqës dhe të vendosim për hapat e ardhshëm, por sa u përket partive opozitare, ato kanë ndërmarrë një qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të pandershme, me akuza të pandershme dhe me goditje të ulëta”, shtoi Konjufca.

Subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit. Por, kreu i Nismës – parti që garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera – Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë aktuale në opozitë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kreu i LDK-së thërret Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi këtë të hënë opinionin publik dhe anëtarësinë e saj, se Kryetari i LDK-së ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit...
15:55 | 27/07/2026

Gashani: Nënshkrimi i marrëveshjeve me Francën, moment historik për Prishtina 2030

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, e ka cilësuar si një moment historik për sportin e Kosovës nënshkrimin e Deklaratës së Synimit...
15:44 | 27/07/2026

“Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku”, nëna e viktimës së rastit “Panda”: Do ta padis shtetin, Vuçiçi të tregojë të vërtetën

Ljubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, 17-vjeçarit të vrarë në sulmin ndaj kafenesë “Panda” në Pejë në vitin 1998, ka bërë thirrje që të zbulohet...
12:41 | 27/07/2026